Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ka zhvilluar një takim me homologun e saj kroat Gordan Grliç-Radman. Mes të dyve ka pasur edhe një deklaratë për mediat.

Xhaçka theksoi se me njëri-tjetrin diskutuan se si mund të zgjerojnë dhe thellojnë marrëdhëniet mes dy vendeve. Ajo u shpreh se vizita e Radman është shprehje e vullnetit të përbashkët për të zhvilluar më tej partneritetin.

Ministrja e Jashtme u shpreh se në fokus të axhendës dypalëshe mes shumë çështjeve janë edhe ato të bashkëpunimit në fushën e integrimit.

“Kroacia do të vijojë të jetë një mbështetëse e parezervë e procesit tonë të integrimit në BE. Jo vetëm politikisht, por edhe me ekspertizë teknike konkrete”, u shpreh Xhaçka.

Ministri kroat po ashtu konfirmoi se Kroacia do ta ndihmojë Shqipërinë në procesin e integrimit në BE.

“Kroacia është gati që të ofrojë mbështetje politike dhe teknike për Shqipërinë për të realizuar transmetimin e të gjitha njohurive dhe përvojën e saj për integrimin e Shqipërisë në BE”, u shpreh ministri Grliç-Radman.

Mes dy ministrave u vlerësua edhe bashkëpunimi ekonomik duke shtuar se duhet akoma më shumë punë për ta zhvilluar më tej atë.