Ministria e Mbrojtjes Olta Xhaçka ka mbledhur sot 12 prefektët e sapoemëruar, të gjithë nga radhët e ushtrisë. Ministrja u përqendrua te masat që duhet të merren për emergjencat civile, që kanë impakt direkt në jetën e komunitetit.

“Në raste emergjencash dhe ngjarjesh të jashtëzakonshme, zyra juaj duhet të jetë terreni, sikurse kompetenca juaj është ndjekja e Planit të Veprimit hap pas hapi”, u tha Xhaçka prefektëve.

Ministrja e Mbrojtjes kërkoi po ashtu nga ana e prefektëve veprim të shpejtë dhe të zhdërvjellët sipas pikave të një plani të qartë veprimi, të konceptuar si një Protokoll Tip Veprimesh në situata të jashtëzakonshme.

Në ditët në vijim, ministrja Xhaçka do të thërrasë një takim të zgjeruar me të gjithë kryetarët e bashkive në vend dhe drejtuesit e njësive administrative për të koordinuar masat dhe për të dhënë orientimet për përballimin e emergjencave në ditët e vështira të dimrit.