Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka nga foltorja e Kuvendit deklaroi se sulmi kibernetik tentoi që të shkatërronte të dhëna shtetërore, por nuk ia dolën dot. Ajo theksoi se sistemet tona rezistuan.
“E mirëkuptoj një pjesë të kolegëve këtu dhe publikut për sulmin kibernetik, por kërkoj mirëkuptim se një pjesë e madhe e informacionit të kërkuar për këtë ngjarje është e klasifikuar dhe nuk mund të bëhet publike. Kjo po përdoret për debate publike. Pavarësisht sponsorimit shtetëror që iu bë, sistemet jo vetëm që nuk u shkatërruan, janë dhe funksionale. Si mund të thuhet se investimet janë para të hedhura kot? Kur shikon se sistemi është rikthyer dhe të dhënat nuk janë shkatërruar. Sulme të tilla ndodhin edhe në SHBA, edhe në vendet e BE. Agresorët, piratët, do të tentojnë që të gjejnë dobësi të sistemeve. Detyra e vendeve si i yni është që të investojmë. Fati i sistemit tonë do kishte qenë në kolaps, nëse s’do të kishim investuar në mbrojtjen kibernetike. Ishte sulm masiv, synonte paralizimin e sistemeve online, vjedhjen e sistemeve qeveritare. Sistemet tona rezistuan dhe ky është fakt. Mbrojtja jonë kibernetike rezultoi të ishte efikase, pavarësisht sulmit masiv.”, tha Xhaçka.