Në margjinat e Konferencës së Forumit të Budapestit për Ballkanin Perëndimor, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka u takua me ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.
Dy ministrat vlerësuan se marrëdhëniet e shkëlqyera dhe pa asnjë çështje të hapur mes palëve, me angazhim të dyanshëm, do të zhvillohen edhe më tej në të ardhmen.
Ministrja Xhaçka e uroi homologun Osmani për marrjen e presidencës së OSBE, për të cilën shprehu besimin se do të kontribuojë për paqe dhe prosperitet në rajon dhe më gjerë dhe e garantoi për mbështetjen dhe angazhimin e plotë të Shqipërisë.
Gjithashtu, ministrja Xhaçka shprehu mbështetjen për presidencën tjetër të RMV-së, atë të Kartës së Adriatikut.
“Ata diskutuan edhe mbi rrugëtimin e gjatë të dy vendeve drejt Bashkimit Evropian, ku pikërisht në këto momente duhet të bashkojmë përpjekjet tona më qëllim përmbushjen e detyrave të kërkuara dhe për t’i shkuar kësaj rruge deri në fund”, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Jashtme.
Kryediplomatja shqiptare po ashtu vlerësoi rolin dhe kontributin e faktorit shqiptar, i cili vazhdon të kontribuojë për sigurinë dhe prosperitetin e Maqedonisë e Veriut, që nga Marrëveshja e Ohrit, tek ajo e Prespës, si dhe ajo e fqinjësisë së mirë me Bullgarinë.
Në fund të takimit, dy ministrat ranë dakord për një vizitë të ardhshme në Shkup të MEPJ-së Xhaçka, në fund të këtij muaji.