DURRES, 22 shkurt 2013 – Teuta u ka dhënë fund përgatitjeve në kuadër të përballjes me Tiranën. Në kampin durrsak mbizotëron optimizmi, megjithëse sfida është drithëruese. Kur na ndajnë vetëm pak orë nga përballja e madhe, sulmuesi i Teutës, Daniel Xhafaj deklaron se skuadra e tij do të kthehet nga kryeqyteti me fitore. Në prag të kësaj sfidë, bomberi durrsak u bëri thirrje të gjithë shokëve të skuadrës të japin maksimumin e tyre dhe të mos i nënshtrohen kundërshtarit.

“Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, për vetë faktin që të dyja skuadrat kanë të njëjtat objektiva. Sigurisht ne do të shkojmë në Tiranë me qëllimin për të marrë më të mirën nga kjo përballje dhe shpresojmë të kthehemi me fitore nga kryeqyteti. Ne jemi përgatitur përgjatë gjithë kësaj jave dhe besojmë se çdo gjë do të shkojë sipas planit. Në krahasim me ndeshjen e fazes së parë, Teuta është përmirësuar ndjeshëm, prandaj kryeqytetasit do ta kenë shumë të vështirë për të përballuar nënkampionen. Gjithsesi, gjithçka ngelet për t’u parë në fushën e lojës. Ne kemi besim se do të bëjmë një paraqitje dinjitoze në “Qemal Satafa”, ndaj shpresojmë që gjithçka të ecë sipas parashikimit. E kemi shumë të nevojshme këtë fitore, për më tepër që luajmë përballë një kundërshtari direkt siç është Tirana”,- deklaroi Xhafaj. 

/m.l. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/