DURRËS, 26 janar 2014 – Teuta tashmë do të ketë edhe sulmuesin e saj më të mirë Daniel Xhafaj i cili do ti bashkohet skuadrës në stërvitje ditën e martë.

Xhafaj ka deklaruar se kthehet nga Amerika për të vazhduar sezonin me Teutën por njëkohësisht për të mbyllur karrierën me ekipin durrsak:

“Kam vendosur të kthehem, ashtu siç premtova kur u nisa në fund të dhjetorit që shkoi. Vërtet planet e mia janë që të vazhdoj jetën në SHBA, por kurrsesi nuk doja që të ikja në mes të sezonit nga Teuta. Do të vazhdojë deri në fund, për ta mbyllur në mënyrën më të mirë. Do të ishte gjëja më e bukur nëse e mbyll karrierën me një titull të fituar te Teuta. Gjithsesi, ngushëllimi i vetëm nëse kjo ndodh do të jetë thyerja e rekordit të golave. Besoj se do t’ia arrij.” 

Xhafaj edhe pse në Amerikë ka vazhduar stërvitjen ndërkohë që ka marrë lajme të vazhdueshme për Teutën:

“Kam vazhduar stërvitjen edhe në Amerikë. Stërvitem si një 20-vjeçar dhe ky ndoshta është edhe sekreti i formës që po kaloj. Nuk kam neglizhuar asnjë ditë stërvitje dhe, jo për mburrje, por po shkoj 37 vjeç dhe kam ende dëshirë për të luajtur. Gjithsesi, vjen një moment dhe atë që ke nisur duhet ta mbyllësh. Unë e kuptoj vetë se kur duhet të hap krahun. Fizikisht ndihem shumë mirë, por nisur edhe nga kushtet që m’u krijuan tashmë, kam vendosur përfundimisht me familjen që të transferohem në Amerikë për një jetë edhe më të mirë. Po mendoj për fëmijët e mi, sepse futbolli i luajtur për mua mbyllet shpejt por sic e thashë karrierën do të mbyll tek Teuta. Me sa kam dëgjuar apo dhe nga kontaktet që kam pasur me drejtuesit dhe shokët e skuadrës, skuadra ka bërë disa përforcime të bujshme dhe është bërë një ekip shumë më i fortë. Kam besim se në fazën e dytë, skuadra jonë do të jetë më e fortë, pasi edhe kualitetet janë shtuar, ndërkohë që edhe në sulm ku unë luaj ka konkurrencë të madhe. Më vjen mirë që konkurrenca është shtuar, ndërsa të gjithë të jenë të bindur se do të shohin një skuadër shumë më të fortë në gjysmën e dytë të sezonit. Personalisht mendoj se kam shumë për të dhënë në fushën e blertë, ndërkohë që do të synoj të shënoj sa më shumë gola, për të ndihmuar skuadrën në realizmin e objektivave si dhe për të fituar patjetër një trofe të rëndësishëm. Gara për titull? Është e hapur dhe gjysma e parë e sezonit tregoi se është një garë e fortë dhe me konkurrencë të madhe. Ne kemi treguar se dime të luajmë fort dhe të marrim rezultate pozitive edhe jashtë fushës. Do të guxojmë sa më shumë në mënyrë që të gabojmë sa më pak dhe të realizojmë objektivat që ne kemi”.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/