Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj nga Elbasani ka deklaruar se kriminaliteti në këtë qytet nuk ka marrë ende përgjigjen e merituar, por sipas tij kjo do të ndodhë shumë shpejt. Kjo pasi Drejtoria e Policisë do të ristrukturohet tërësisht dhe për këtë po bëhet një projekt pilot, duke pasur parasysh edhe situatën kriminale në këtë qark.

"Elbasani pati një situatë jo pozitive të kriminalitetit, situtatë që ende s’ka marrë përgjigje dhe zgjidhjen e duhur. Këto janë gjëra që nuk bëhen brenda ditës, duan kohë që të kemi një projekt sa më realist. Sa i përket kriminalitetit, mbetemi të shqetësuar për këtë problematikë. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë ka komanduar këtu disa prej ekspertëve më të mirë."

Xhafaj foli edhe për familjet Çapja dhe Çela në Elbasan, mes të cilave ka pasur vazhdimisht përplasje kriminale. Sipas kreut të Ministrisë së Brendshme, këto dy familje nuk simbolizojnë qytetarët e ndershëm të Elbasanit dhe shumë shpejt do të përgjigjen para drejtësisë nëse janë të përfshirë në veprimtari kriminale.

"Ata që i quani ju jo Çapja apo Çelajt nuk mund të simbolizojnë këtë qytet, njerëzit me vlera siç është Elbasani. Ai dhe të tjerë që janë përfshirë në veprimtari kriminale të jeni të sigurtë që do marrin përgjigje të merituar."