Golat ishin “puna” dhe “triumfi” i tij personal. Kudo ku ka qenë, Daniel Xhafaj ka lënë gjurmë, gjë të cilën e ka bërë edhe kur ka luajtur për Teutën.
3 vite pas tërheqjes nga futbolli, ish-sulmuesi vlonjat kthehet të flasë për disa tema dhe për të kaluarën emocionuese në Kategorinë Superiore.
Goleadori Daniel Xhafaj është ndalur më shumë tek ishskuadra e tij Teuta, e cila po përgatitet për dy përballje të forta, në Kupë ndaj Kukësit dhe në kampionat me Partizanin. Vlonjati pohon se me fanellën e skuadrës durrsake ka kujtime të bukura.
Daniel, i keni dhënë fund futbollit të luajtur dhe tani jetoni në Amerikë. Me çfarë merreni aktualisht dhe a e ndiqni Kategorinë Superiore?
Po, prej 3 vitesh jetoj në Amerikë, pikërisht në Florida, por jo i shkëputur nga fusha e sportit. Jam drejtor i “Celtic Academy” për moshat 15-19 vjeç, ku ofrojmë programe trajnimi për të rinjtë. Përveç punës së përditshme, pa dyshim që e ndjek edhe kampionatin shqiptar.
Keni një koment për ngjarjet e fundit të ndodhura në kampionatin shqiptar pas ndeshjes Kamza-Laçi?
I vetmi koment që mund të them është që, futbolli duhet të rrijë larg dhunës dhe sa më shumë “Fair-Play”-t.
Çfarë dallimi gjeni mes Teutës ku ju ishit lojtar i saj dhe skuadrës së sotme?
Po Teuta e atij sezoni kishte elementë të rinj dhe me perspektivë. Ndërsa Teuta aktuale ka lojtarë të mirë, si dhe ka potencial të madh për të shkuar larg në këtë sezon.
Keni qenë pjesë e Teutës në sezonin 2004-2005, ku fituat Kupën e Shqipërisë përballë Tiranës në Elbasan, si e kujtoni atë edicion?
Ai sezon nisi me probleme për Teutën, ku dhe u ndërruan tre trajnerë brenda vitit. Me ardhjen e profesor Stavri Nicës, në ekip bëmë një fazë të dytë shumë të mirë dhe kishim në përbërje lojtarë të rinj, por dhe futbollistë me eksperiencë. Ishte një ndërthurje brezash, ku ndër lojtarët me përvojë ishin Mancaku, Sakaj, Brahja, Hasani etj..
Keni luajtur së bashku në sezonin 2006-2007 me fanellën e Teutës, por dhe te Skënderbeu me Bledi Shkëmbin. Si e shikoni atë në rolin e trajnerit?
Si futbollist dihet se kush ka qenë Bledi Shkëmbi. Ndaj i uroj suksese edhe në karrierën si trajner, ku e shikoj në rrugën e duhur dhe mendoj se Shkëmbi do të arrijë të ketë suksese edhe në profesionin e ri.
Cili ka qenë kujtimi juaj më i bukur te Teuta?
Në fakt, te Teuta të gjitha sezonet që kam luajtur kam kujtime të bukura. Në përgjithësi kemi arritur objektivat që ka pasur klubi, përjashto vetëm sezonin e fundit që kam luajtur te Teuta, ku nuk i arritëm synimet.





