TIRANE – Përmes një letre drejtuar presidentit Nishani, zëvendëskryetari i Komisionit për Çështjet Ligjore, deputeti i PS, Fatmir Xhafaj shpreh shqetësimin e socialistëve lidhur me zbatimin e gabuar të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatave Administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”. 

Në letrën, dërguar për dijeni edhe Delegacionit të Bashkimit Europian, Ambasadës së SHBA, Prezencës së OSBE-së, Këshillit të Europës, OPDAT-it dhe misionit Euralius III, thuhet se KLD po shkel ligjin, i cili përcakton mënyrën sesi do të përzgjidhen gjykatësit e Gjykatës Administrative. 

“Ligji nuk i ka dhënë në asnjë paragraf të tij të drejtën KLD-së të ngrejë një komision për fondin e pyetjeve të testimit. Kjo është një kompetencë ekskluzive e vet Shkollës së Magjistraturës ashtu siç ajo bën në veprimtarinë e saj të përhershme. Neni 6 i vendimit të KLD-së është në kundërshtim me ligjin, i cili ka parashikuar qartazi se “Fondi i pyetjeve përgatitet nga Shkolla e Magjistraturës me ndihmën e institucioneve ndërkombëtare. Ligji nuk i ka dhënë asnjë të drejtë zëvendëskryetarit të KLD-së lidhur me procedurën e testimit. Ndërkohë që vendimi i KLD-së në mënyrë abuzive i ka njohur atij detyrën e rojtarit të fondit të pyetjeve ç’ka është fyese për këtë funksion dhe kryesorja për Shkollën e Magjistraturës duke shprehur edhe një mungesë të theksuar besimi ndaj këtij institucioni.”- nënvizon Xhafaj. 

Deputeti socialist i kërkon Këshillit të Lartë të Drejtësisë, “të ushtrojë përgjegjësitë dhe kompetencat që i jep Kushtetuta e ligji, për të ruajtur pavarësinë dhe përgjegjshmërinë në ushtrimin e detyrës së tij në respekt të ligjit dhe në interes të domodoshmërisë jetike për t’i kthyer pushtetit gjyqësor besueshmërinë, efiçiencën dhe transparencën e kërkuar.” 

 

LETRA E PLOTE 

I nderuar zoti President, 
Të nderuar anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, 

Në cilësinë e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë dhe Zëvendëskryetar i Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut ju parashtroj shqetësimin e thellë lidhur me zbatimin e gabuar nga ana juaj të ligjit Nr.49 datë 3.5.2012 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatave Administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”. 

Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka marrë vendimin Nr.299/1, datë 30/11/2012 “Për Procedurat e Përzgjedhjes së Kandidatëve për Gjyqtarë në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë dhe të Apelit”. 
Ligji 49/2012 në Shtojcën e tij (pjesë e ligjit) “Për Organizimin e Testimit Kualifikues për Emërimin e Gjyqtarëve Administrativë të Shkallës së Parë dhe të Apelit” parashikon qartazi se testimi seleksionues me shkrim për gjyqtarët organizohet prej Shkollës së Magjistraturës. 

Ligji 49/2012 (pika a, neni 4) është shprehur qartë se organizimi i testimit është përgjegjësi dhe detyrë e Shkollës së Magjistraturës. Ligjvënësi ka përcaktuar këtë detyrim duke respektuar përgjegjësinë dhe përvojën e deritanishme të shfaqur nga ana e shkollës lidhur me testimet për pranimin dhe vlerësimin e studentëve të Shkollës së Magjistraturës.

Vendimi i KLD-së është në shkelje të hapur të ligjit. Ligji nuk i ka dhënë në asnjë paragraf të tij të drejtën KLD-së të ngrejë një komision për fondin e pyetjeve të testimit. Kjo është një kompetencë ekskluzive e vet Shkollës së Magjistraturës ashtu siç ajo bën në veprimtarinë e saj të përhershme. Neni 6 i vendimit të KLD-së është në kundërshtim me ligjin, i cili ka parashikuar qartazi se “Fondi i pyetjeve përgatitet nga Shkolla e Magjistraturës me ndihmën e institucioneve ndërkombëtare.” 

Ligji nuk i ka dhënë asnjë të drejtë zëvendëskryetarit të KLD-së lidhur me procedurën e testimit. Ndërkohë që vendimi i KLD-së në mënyrë abuzive i ka njohur atij detyrën e rojtarit të fondit të pyetjeve ç’ka është fyese për këtë funksion dhe kryesorja për Shkollën e Magjistraturës duke shprehur edhe një mungesë të theksuar besimi ndaj këtij institucioni. 

Ligji i ka dhënë të drejtën KLD-së vetëm të drejtën për të caktuar një përfaqësues të saj (anëtar) në Komisionin e Administrimit të Testimit, por nuk i ka dhënë të drejtën që ai të jetë automatikisht edhe kryetar i këtij komisioni. Ligji ka parashikuar qartë të drejtën dhe përgjegjësinë e organizimit të testimit nga ana e shkollës edhe për shkak të kapaciteteve që ajo ka në rradhët e trupës së saj pedagogjike, por edhe për shkak të përvojës së saj në këtë fushë. Përkundër kësaj fryme dhe tradite KLD me vendimin e tij ka marrë atributet e krijimit të komisionit, të caktimit të kryetarit të tij e për rrjedhojë edhe të organizimit të testimit !!! 
Ligji 49/2012 përcakton se : “Shkolla e Magjistraturës bashkëpunon me institucionet ndërkombëtare që operojnë në fushën e drejtësisë dhe të forcimit të shtetit të së drejtës për të kryer testimin kualifikues të kandidatëve”. Ligjvenësi e ka bërë një gjë të tillë nisur nga përvoja e krijuar në këtë aspekt, në vlerësim të rolit që kanë luajtur e luajnë këto misione në forcimin e kredibilitetit të Shkollës së Magjistraturës. Natyrisht në këtë rast parashikimi për përfshirjen aktive të tyre në këtë proces ka pasur si qëllim edhe nevojën për të përballuar më mirë presionet e ndryshme që mund t’i vinin shkollës në këtë proces, rritjen e paanshmërisë dhe objektivitetit në administrimin e testimit dhe kryesorja rritjen e besueshmërisë në rezultatet e tij. Vendimi e ka kaluar shkarazi këtë detyrim ligjor pa bërë asnjë përcaktim të qartë të mënyrës së përfshirjes së tyre në këtë proces dhe, mesa ne jemi informuar, është miratuar pa asnjë konsultë paraprake me këto misione. 

Në të kundërt, në kundërshtim të hapur me ligjin, KLD ka caktuar znj. Flutura Kola (Tafaj), përfaqësuese e Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, si anëtare të Komisionit të Fondit të Pyetjeve. Ligji nuk ia njeh aspak një të drejtë të tillë KLD-së dhe as nuk e përfshin Fakultetin e Drejtësisë së Universitetit të Tiranës në këtë proces. Për më tepër personi i caktuar nuk është pedagog titullar i lëndës së të drejtës administrative, ndërkohë që në sistemin universitar publik e privat ka shumë pedagogë të së drejtës administrative me tituj shkencorë, një pjesë e të cilëve të angazhuar në debatin publik dhe në procesin e hartimit të ligjit përkatës. 
KLD, megjithëse i ka dhënë vetes të drejtën e ngritjes së komisionit të administrimit të testimit dhe përcaktimin e kryetarit të tij, ende një javë para datës së testimit nuk ka caktuar përfaqësuesin e saj, i cili është edhe kryetar në këtë komision. Sëpaku një gjë e tillë nuk është e pasqyruar në vendimmarrjen zyrtare të KLD-së. 
Vendimi i KLD-së është marrë dhe trajtuar në kushtet e një mungese të plotë transparence. Në faqen zyrtare të këtij institucioni ky vendim nuk gjendet i publikuar ndërkohë që gjenden lloj-lloj njoftimesh, deklaratash për shtyp e vendime të marra në zbatim të këtij vendimi. Vendimi gjithashtu nuk gjendet i botuar edhe në Fletoren Zyrtare megjithëse ka kaluar mbi 1 muaj nga miratimi i tij. 

Përsa më sipër rezulton një përpjekje e qartë e drejtuesve të KLD-së dhe të Ministrisë së Drejtësisë për të uzurpuar kompetenca dhe përgjegjësi që ligji nuk ua njeh, për të ndërtuar praktika e mekanizma abuzive që vendosin nën kontroll procesin e testimit dhe rezultatet e tij, me qëllimin e vetëm për të realizuar një përzgjedhje me orientim klientelist dhe politik të gjyqtarëve të gjykatave administrative. 

Nxitimi i KLD-së dhe Ministrit të Drejtësisë për të caktuar datën 21 dhe 22 janar 2013 për zhvillimin e testimit kualifikues dhe mënyra se si është duke u vepruar në procesin e testimit dhe për pasojë edhe për përzgjedhjen e gjyqtarëve dëshmon për një procedurë jotransparente, jo të mbështetur në ligj dhe me rrjedhoja paligjshmërie. 
Vendimi i marrë në kundërshtim me ligjin dhe praktika abuzive e aspak transparente e ndjekur edhe në shumë elementë të tjerë të këtij procesi, deklarimet e bëra në proces nga Ministri i Drejtësisë dhe Zëvendëskryetari i KLD-së lidhur me testimin e gjyqtarëve etj nuk i shërbejnë frymës së ligjit dhe pritshmërisë së qytetarëve e biznesit lidhur me gjykatat administrative. Maxhoranca qeverisëse përmes përfaqësuesve të saj në KLD nuk synon objektivitetin dhe transparencën në ngritjen dhe përbërjen e gjykatave administrative, por vendosjen e tyre nën kontroll përmes emërimeve klienteliste. 

Ky është një tjetër sinjal negativ që dëmton besueshmërinë e qytetarëve te drejtësia, luftën kundër korrupsionit në rradhët e gjyqësorit dhe vet reformën në fushën e drejtësisë. Ky është një tjetër shembull se në vendin tonë përbën shqetësim jo mungesa e ligjit, por keqzbatimi i tij. Kur kjo bëhet nga njerëzit e drejtësisë dhe në institucionet e drejtësisë, situata është edhe më shumë shqetësuese. 

Si ligjvënës, si jurist dhe si qytetar i këtij vendi kërkoj nga Ju si President i Republikës, që në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të ushtroni të gjitha kompetencat tuaja për të ndalur këtë praktikë antiligjore e arbitrare, për të ndërtuar një proces transparent, të konsultuar me faktorët përkatës dhe kryesorja në zbatim të ligjit, një proces që të gëzojë besueshmërinë e cilësinë e nevojshme. 

I kërkoj Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të ushtrojë përgjegjësitë dhe kompetencat që i jep Kushtetuta e ligji për të ruajtur pavarësinë dhe përgjegjshmërinë në ushtrimin e detyrës së tij në respekt të ligjit dhe në interes të domodoshmërisë jetike për t’i kthyer pushtetit gjyqësor besueshmërinë, efiçiencën dhe transparencën e kërkuar. 

Me konsideratë, 
Fatmir Xhafaj 

Deputet 
Zëvendëskryetar i Komisionit për Çështjet Ligjore, 
Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut