Kryetari i Komisionit të Posaçëm Antikorrupsion, Fatmir Xhafaj, gjatë fjalës së tij në takimin e nivelit të lartë me praninë e ambasadorëve të akredituar në Shqipëri, për procesin e thellimit të reformave të mirëqeverisjes, sundimit të ligjit dhe antikorrupsionit, u shpreh se se me punën që po bëhet, do të arrihet që Shqipëria të jetë në BE brenda vitit 2030.

Xhafaj tha se nëpërmjet konsultimeve, bisedimeve edhe me kryeministrin Rama që e ka mbështetur këtë proces, u arrit të shkohej deri këtu dhe ata që spekuluan morën të njëjtin rezultat si në rastin kur spekuluan për Reformën në Drejtësi.

“Më 27 Maj të këtij viti Kuvendi miratoi Rezolutën “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian” dhe mbi bazën e saj Vendimin për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar që synon të jetësoj frymën dhe qëllimet e larta të kësaj rezolute.

Në këta pak muaj kemi arritur të ndërtojmë një proces reformimi shumë dimensional, të mbështetur në 4 parime të rëndësishme: gjithëpërfshirje, transparencë, profesionalizëm dhe strandarte më të mira ndërkombëtare.

Kemi zgjedhur rrugën më të gjatë e më të vështirë, por besojmë më të sigurtë për të marë rezultatin e pritshëm, duke realizuar një proces i cili kalon përmes nevojës për analizë, skanim e diagnostikim të situatës, përcaktim të nevojave për ndërhyrje përmes masash ligjore, strukturore e institucionale dhe më pas për konkretizimin e realizmin e tyre.

Tashmë ne jemi në fazën e konsultimit të draft Dokumentit analitik të përgatitur nga ekspertët. Janë organizuar 11 tryeza tematika në përputhje me komponentët kryesorë të kësaj analize, të cilat janë prezantuar nga vetë ekspertët dhe nën moderimin e kolegëve të tyre. Në to kanë marrë pjesë rreth 600 profesionistë të fushës e përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe agjensive të pavarura si dhe të shoqërisë civile e grupeve të interesit dhe rreth 100 vetë kanë shprehur lirisht pikëpamjet e tyre duke dhënë edhe një sërë rekomandimesh me vlerë që do të reflektohen në draftin përkatës po nga vet ekspertët që kanë punuar me to.

Sot filluam një cikël tjetër konsultimi, Forumet e dialogut qytetar. Ato do të zhvillohen në territor, në qendra qarqesh dhe kryesisht në mjediset universitare për të bashkëbiseduar e dialoguar reth temave që kanë interes prioritar për qytetarët në fushën e qeverisjes qendrore e vendore, luftën kundër korrupsionit dhe sundimit të ligjit, se si i shohin qytetarët, grupet e interesit dhe veçanërisht të rinjtë e të rejat çështje të tilla dhe se çfarë ata mendojnë se mund të bëhet më mirë në këto fusha në aspektin legjislativ dhe ekzekutiv.