Durrës, 29 mars 2014 – Ndaj krutanëve, Teuta do të luajë me formacion të plotë dhe synimi do të jetë marrja e 3 pikëve. Skuadra bregdetare është duke luftuar në të dy kompeticionet, si në kampionat ashtu edhe në Kupë për të siguruar një vend në Europë. Momentalisht, në kampionat, durrsakët janë jashtë zonës së Europës dhe janë 4 pikë larg, por ata shpresojnë që të rikuperojnë në javët e mbetura. Ndaj edhe ndaj Kastriotit do të kërkojnë fitoren e radhës për t’u afruar me objektivin.
Pas Kastriotit, Teutën e pret një transfertë e vështirë në Kukës, skuadër me të cilën po përballet shpesh këto javët e fundit pasi shorti i Kupës i vuri përballë njëra-tjetrës në gjysëmfinale.
Sulmuesi i Teutës, Daniel Xhafaj, ka besim se skuadra e tij do të ketë një vazhdimësi shumë të mirë dhe do të arrijë objektivin si në Kupë ashtu edhe në kampionat. Bomberi durrsak ka besim se skuadra në fund të kampionatit do të pozicionohet atje ku e meriton.
“Pasi dolëm nga gara për titull, qëllimi ynë ndryshoi. Skuadra vendosi si objektiv pjesëmarrjen në Europë. Aktualisht ndodhemi vetëm disa pikë larg, por personalisht jam i bindur se do të rikuperojmë në përballjet e mbetura, në të cilat duhet të jemi shumë të qetë dhe t’i konsiderojmë si finale. Tani çdo ndeshje është tejet e rëndësishme për ne, pasi të gjitha skuadrat kërkojnë të përmbushin objektivat e veta, kush për të siguruar qëndrimin në Superiore, kush për të kapur Europën. Në vazhdim kemi një kalendar të favorshëm dhe besojmë se do t’ia dalim duke arritur synimet tona”,– u shpreh Xhafaj.
Teuta po punon me intensitet në drejtim të përgatitjeve për ndeshjen e radhës. Durrsakët do të presin të dielën në orën 17.00 në “Niko Dovana” Kastriotin, në një sfidë, ku do të kërkojnë me çdo kusht fitoren. Xhafaj thotë se Teuta do ta kalojë me sukses Kastriotin.
“Këtë radhë do të kemi si kundërshtar Kastriotin, ndaj të cilit objektivi i vetëm i yni do të jetë fitorja. Asnjë rezultat tjetër përveç fitores nuk na justifikon në këtë përballje mjaft të rëndësishme për skuadrën, që ka përpara edhe disa pikë të tjera për të rikuperuar. Ekipi ka punuar me ritme të shpejta në drejtim të përgatitjeve për sfidën me Kastriotin dhe të gjithë kemi besim se do dalim me pikë të plota nga ky duel. Kastrioti është një kundërshtar i fortë, por Teuta është e detyruar ta fitojë këtë takim. Do të jetë e vështirë, por do t’ia dalim”,- vijoi bomberi i Teutës.
Përsa i përket objektivit në Kupë Xhafaj shprehet : “Rezultati i fiksuar në sfidën e vajtjes në Kukës (3- 2) mendoj se na favorizon për të kaluar në finale. Do të luhen edhe 90 minuta, që për mendimin tim janë vendimtare për të vendosur fatin e skuadrës dhe do na mundësojnë të vazhdojmë më tej. Në përballjen e parë meritonim më shumë, gjithsesi nuk dua të flas apo të komentoj diçka që tashmë ka kaluar dhe nuk kthehet pas. Ne kemi besim se në ndeshjen e kthimit do të bëjmë një paraqitje edhe më të mirë se ajo në Kukës dhe do të kualifikohemi për në finale. A do të jetë e vështirë?! Sigurisht, pasi Kukësi ka një skuadër shumë të mirë dhe tejet të motivuar, që kërkon të fitojë trofeun e tij të parë. Përtej gjithçkaje, unë mendoj se me ndihmën e tifozërisë sonë ne do të mposhtim Kukësin dhe do të kalojmë në finale”,- përfundoi Xhafaj.
Trajneri Biturku ka kthyer skuadrën në identitet dhe megjithëse i kanë munguar rezultatet, ka kthyer lojën. Da Silva është kthyer në krahun e majtë të mbrojtjes dhe ndoshta është një nga më të mirët në pozicionin e tij. Hoxha, Osmani dhe Jakupi, apo edhe Idrizaj formojnë një mbrojtje që të jep besim. Në mesfushë Nika, Hodo, Dosti, por edhe Kalu nëse do të ketë dëshirë të luajë në Shqipëri edhe në të ardhmen. Ndërsa në sulm Samb dhe Xhafa. Ky është një formacion ideal i kësaj skuadre, i konfirmuar edhe nga teknikët, ndërsa Biturku nuk ka marrë përsipër të bëjë asnjë ndryshim taktik, veçse ka përshtatur emra me logjikën e formacionit të fillim sezonit. Tani po që është një Teutë për t’i besuar edhe njëherë tjetër.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





