Durrës, 13 maj 2014 – Teuta bëri detyrën në Shkodër duke mposhtur vendasit me rezultatin 1-3, por e pati të pamundur prerjen e biletës për në Europa Ligë. "Djemtë e detit" varen tashmë nga Kukësi, i cili do të përballet me Flamurtarin në finalen e Kupës së Shqipërisë. Sulmuesi Daniel Xhafaj ka lënë të kuptohet qartë se durrsakët nuk janë të kanaqur me vendin e katërt. Sulmuesi, i cili me golin e fundit ndaj Vllaznisë, ndodhet vetëm tre gola larg Viorentin Sinanit që mban rekordin me 208 të tillë, nuk ka ndërmend të tërhiqet nga futbolli.
“Ne bëmë detyrën në Shkodër, por pa mundur të ndreqnim gabimet e të shkuarës. Fitorja nuk pati atë vlerë, pasi gëzimin e fitores e prishi rezultati në Korçë. Skuadra bëri të pamundurën për të dalë me fitore nga "Loro Boriçi" dhe jemi të kënaqur në këtë aspekt. Ishim shumë të bindur tek një rezultat pozitiv i Skënderbeut, por nuk ndodhi kështu. Tashmë vetëm po fitoi Kukësi kupën ne mund të jemi pjesëmarrës në Europa Ligë. Për këtë jemi shumë të trishtuar dhe presim me padurim finalen për të mësuar të ardhmen tonë. Teuta nuk e meriton ta mbyllte kështu këtë sezon, pasi ka një skuadër me elemente cilësor. Teuta nuk meriton ta mbyllte në këtë mënyrë këtë sezon futbollistik. Ndodhemi në vendin e katërt dhe varemi nga Kukësi për arritjen e objektivit. Kjo tregon se nuk kemi patur një sezon të suksesshëm. Kjo ndoshta edhe prej konkurencës së madhe, pasi skuadrat ishin pak a shumë të të njëjtit nivel”, – thotë sulmuesi durrsak.
Xhafaj komenton edhe ecurinë e Teutës gjatë sezonit.
“Gjatë këtij edicioni Teuta tregoi dy fytyra: në pjesën e parë të sezonit pati rezultate të mira, ndërsa më pas ekipi pati luhatje në pjesën e dytë të tij. Në Kupë u eleminuam në gjysmë finale nga Kukësi, sfidë të cilën duhet ta kishim fituar, ndërsa në kampionat kemi patur probleme me sekondat e fundit të ndeshjeve, ku kemi lënë shumë pikë. Dy pikët e para u humbën në Shkodër, kur Vllaznia na barazoi në limitet e fundit të ndeshjes, më pas me Partizanin e Skënderbeun brenda. Nëse do të kishim këto pikë, nuk do të ishim në vendin e katërt. Sa për aspektin personal jam përpjekur të ndihmojë skuadrën me të gjitha mënyrat dhe ndihem keq që nuk mundëm të arrinim objektivin. Kam shënuar rregullisht, si gola vendimtarë për fatet e takimit, ashtu edhe ata të parëndësishmit, por detyra e sulmuesit kjo është. Pra, mendoj se kam patur një sezon relativisht të mirë në aspektin personal”,- deklaron Xhafaj.
Bomberi i durrsakëve shprehet se ai nuk do ta mbyllë karrierën ende.
“Ndihem mirë fizikisht dhe nuk kam ndërmend të tërhiqem për momentin nga futbolli. Do të vazhdoj të luaj deri sa të jem i dobishëm, pastaj do të tërhiqem. Por nuk e shikoj të afërt. Sasia e golave reflekton si shtysë për të ecur përpara. Objektivi im personal, e kam theksuar shpeshherë, është të thyej rekordin e golave, i cili momentalisht mbahet nga Sinani. Ndodhem fare pranë dhe do të ishte e tepërt nëse do të dorëzohesha”,- e mbyll ai deklaratën e tij.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





