Për situatën e rënduar mjedisore në Durrës, të shkaktuar prej mos tërheqjes së mbeturinave urbane prej disa ditësh, ka reaguar edhe kreu i degës lokale të PD dhe deputeti Ferdinand Xhaferaj:

Me anë të një postimi në rrjete sociale, Xhaferaj akuzon bashkinë dhe qeverinë se nuk e kanë aspak në axhendë turizmin, ndërkohë që biznesi po përpiqet pas dy goditjeve të forta që mori qyteti bregdetar prej tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe pandemisë Covid-19.

“Pas termetit dhe pandemisë, turizmi mbetet mënyra e vetme për zhvillimin ekonomik të Durrësit.

Pavarësisht perpjekjeve të biznesit, Bashkia dhe Qeveria nuk e kanë fare në axhendë turizmin. Qyteti i Durrësit është i mbushur me plehra”,- shkruan Xhaferaj.

Postimin e tij, ai e shoqëron edhe me foto nga lagje të ndryshme të Durrësit ku kazanët e tejmbushur nuk pastrohen prej ditësh.