Deputeti i Partisë Demokratike, Ferdinand Xhaferaj, është shprehur se edhe grupi i Alibeajt e pranon që Berisha ka opozitën më të madhe në vend.

Xhaferajgjatë një interviste për News 24, komentoi vendimin e KAS për të regjistruar PD-në e drejtuar nga Enkelejd Alibeaj në zgjedhjet e 14 majit.

Xhaferaj tha se vendimi i KAS ishte një vendim i padiskutueshëm nga ana juridike dhe shtoi se shpreson që Berisha të hyjë në zgjedhjet e 14 majit jo për të konfirmuar që ka opozitën më të madhe në vend, por për t’u bërë bashkë me grupin e Alibeajt dhe për të rrëzuar Ramën.

Ai shtoi se nuk do t’i mbështesë kandidatët e Primareve, por as fushatë kundër tyre nuk do të bëjë.

“Edhe unë e perceptoj se shumica është andej, por nisur nga zhvillimet juridike, si kanë ecur nga dy Kuvendit, në mënyrë të padiskutueshme ka vendosur këtej. Unë e kam perceptimin si Celibashi, por unë kam të drejtë ta them, por ai jo. Nëse Berisha ka hyrë dhe një herë që të rikonfirmohet që është opozita më e madhe në vend, e ka të fituar, por mendoj se nuk duhet të hyjë me këtë synim, por me synimin për të larguar Ramën. E ka të konfirmuar këtë dhe e kemi pranuar edhe ne. Unë pres që kandidatët e opozitës, të gjithë bashkë të bëjmë maksimumin, që të gjejmë formulën për të marrë maksimumin e votave. Në 14 maj e kam të pamundur të bëj fushatë kundër kandidatëve të Primareve, nuk do t’i mbështes, por fushatë kundër nuk do bëj”, tha ai.