Në Durrës janë dy kandidate në garë për bashkinë e Durrësit, të përzgjedhura nga PS dhe BD, ndërkohë që opozita është jashtë këtij procesi, pasi ka shprehur vendosmërinë për të mos u përfshirë në zgjedhje me kryeministër Edi Ramën. Kryetari i PD Durrës, Ferdinand Xhaferaj, në një intervistë për DurrësLajm, shprehet se me kryeministrin aktual “digjet mundësia e mbajtjes së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”. Sipas Xhaferajt, vetëm me një qeveri tranzitore opozita do të shkojë në zgjedhje, ndërkohë që shpreh bindjen se nëse Rama do t’i shkojë deri në fund idesë për të zhvilluar procesin e votimit në 30 qërshor, PD dhe qytetarët nuk do të lejojnë mbajtjen e një procesi që garanton votim, por jo zgjedhje.

Përsa i përket kandidateve Valbona Sako dhe Valbona Sakollari, Xhaferaj deklaron se “nga niveli i përfaqësimit nuk shkojnë më shumë se pragu i familjeve te tyre”. Për Sakon, Xhaferaj deklaron se vjen nga një bilanc negativ në krye të Tatimeve dhe rezulton “e përfshirë në dosjen 339/1, si e lëshuar nga Vangjush Dako për të shantazhuar biznesin për llogari të votave”.

Në një intervistë për DurrësLajm, dy ditë më parë, kandidatja e BD-së, Sakollari deklaroi se do të synojë kryesisht votat e elektoratit të djathtë, por sipas Xhaferajt, kjo deklaratë nuk duhet marrë seriozisht. Sipas kreut të degës lokale, PD e Durrësit po shton rradhët e saj me të rinj, ndërkohë që mosmarrëveshjet që kanë vijuar prej vitesh janë hedhur pas dhe këtë e dëshmoi tubimi në pallatin e sportit, ku ishte i pranishëm lideri Basha.

1 – Opozita zhvilloi një protestë madhështore në 25 maj dhe ka paralajmëruar një tjetër më 2 qershor. Çfarë pritet nga protesta e rradhës e opozitës së bashkuar, kur nisja e fushatës zgjedhore është në prag?

Opozita, e mbështetur nga qytetarët shqiptarë, ka zhvilluar disa protesta madhështore. Protestat e deritanishme, sikundër edhe ajo që do të zhvillohet në 2 qershor, kanë përcjellë dhe do të vazhdojnë të përcjellin mesazhin e qartë se qytetarët shqiptarë mbështesin projektin opozitar. Kjo do të thotë se me Edi Ramën në krye të qeverisë digjet mundësia e mbajtjes së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Zgjedhjet janë në prag për qeverinë, por jo për qytetarët që i shikojnë këto zgjedhje pa zgjidhje.

2 – Nëse arrihet një marrëveshje mes palëve dhe opozita bëhet pjesë e procesit zgjedhor a është bërë një përzgjedhje paraprake e kandidaturave me të cilat opozita do të përfaqësohet në garën elektorale lokale apo dhe atë parlamentare (kujtoj deklaratën e liderit Basha, rreth dy muaj më parë, kur shprehej se duhet të jemi gati, pasi zgjedhjet mund t’i kemi pranë)?

Ju e theksuat në krye të herës që opozita po organizon protesta madhështore. Kjo do të thotë se janë potenciale nga të gjitha kategoritë e shoqërisë që i janë bashkuar projektit opozitar. Pra, me organizimin e zgjedhjeve nga një qeveri tranzitore, patjetër që do të kemi një përzgjedhje të kandidaturave të shumta që do duan të konkurojnë me projektin e Partisë Demokratike.

3 – Në Durrës, aktualisht janë përfshirë në garë dy kandidate femra nga Partia Socialiste dhe Bindja Demokratike. Një opinion tuajin mbi to dhe atë çfarë përfaqësojnë…

Valbona Sako dhe Valbona Sakollari nga niveli i përfaqësimit nuk shkojnë më shumë se pragu i familjeve te tyre. Për të qenë më të saktë, Sako, që ka tentuar të bëhet e njohur nisur nga fronti i tatimeve, ka lënë pas një hipotekë tejet negative në raport me biznesin.

4 – Kryetari Lulzim Basha, thuajse në çdo takim nëpër rrethe, lakon kandidaten Valbona Sako si e përfshirë në fenomenin e shitblerjes së votës në Durrës. A keni ju si degë lokale prova konkrete apo indicie për përfshirjen e Sakos në këtë fenomen?

Provat janë konkrete kur disiplinohen nën petkun institucional. Pra, tek dosja 339/1, konkretisht lakohet Sako si e lëshuar nga Vangjush Dako për të shantazhuar biznesin për llogari të votave.

5 – A i frikësohet PD krijimit të Bindjes Demokratike? Flitet se disa figura të PD Durrës i janë bashkangjitur asaj…

Sikurse kemi parë, edhe të bindurit e deridjeshëm të Bindjes po shfaqin mosbindje duke u tërhequr nga përfaqësimet.

6 – Në një intervistë të dy ditëve më parë, Valbona Sakollari e BD-së deklaroi se do të synonte kryesisht votat e elektoratit të djathtë. A mund ta dobësojë kjo PD e Durrësit?

Do ju lutesha ta merrnim më seriozisht intervistën.                 

7 – Gjithsesi une ju bëra një pyetje?

Edhe unë ju dhashë një përgjigje.

8 –  Në nëntor 2018, kur u zgjodhët kryetar i degës lokale, fjalët tuaja të para ishin: Ne betejën nuk e kemi me njëri-tjetrin, por me Dakon dhe klanin e tij. A i ka lënë pas PD e Durrësit grindjet dhe mosmarrëveshjet që kanë vijuar prej vitesh?

Deri më tani kemi pasur mundësi që disa herë t’i japim përgjigje kësaj pyetjeje. Herën e fundit u pergjigjëm konkretisht nga pallati i sportit në Durrës.

9 –  Çfarë po bëjnë konkretisht strukturat e PD-së së Durrësit për të afruar pranë vetes të rinjtë, elektoratin e pavendosur apo të pakënaqur ndaj qeverisjes 6-vjeçare të Ramës?

Midis shumë punëve të tjera, javën që shkoi kishim 200 anëtarësime të reja në forumin rinor.

10 – Nëse Rama i shkon deri në fund vendosmërisë së tij për të zhvilluar zgjedhje në 30 qershor, çfarë do të bëjë PD për të pamundësuar procesin e votimit në Durrës?

Ju e thoni saktësisht se çfarë do të bëjë PD-ja për të pamundësuar procesin e votimit. Pra, jo vetëm PD-ja, por qytetarët do bëjnë të pamundurën që të mos kemi thjesht votime, por që në kohën e duhur dhe me qeverinë e duhur të kemi jo votime, por zgjedhje.

M.B.