Deputeti i Durrësit Ferdinad Xhaferaj kërkon dorëheqjen e kreut të PD-së Lulzim Basha.
Pas humbjes në zgjedhjet e 6 marsit në 6 bashkitë e vendit, grupi Parlamentar i PD-së u mblodh mbrëmë ku ka pasur debate dhe diskutime lidhur me humbjen e thellë.
Xhaferaj, përmes një postimi në Facebook, shkruan se alternativa që PD paraqet nën lidershipin e Bashës, qartazi nuk është e pëlqyer as nga baza e partisë, as nga votuesit e djathtë, as nga elektorati gri.
Shkak për debate është bërë dhe deklarata që dha dje Basha, i cili tha se nuk ka humbur asnjë garë, deklaratë kjo që refuzohet kategorikisht nga deputeti Xhaferaj.
“Unë refuzoj të pranoj se Lulzim Basha nuk ka humbur asnjë garë. Po njësoj refuzoj të pranoj se PD është e ndarë ndërmjet Bashës dhe Berishës dhe s’ka opsion përtej tyre. Themelet e një opozite të vërtetë, siç e meritojnë demokratë dhe më gjerë, hidhen duke dalë së pari nga kurthi i kultit të individit. Grupi Parlamentar i PD-së e ka kapacitetin dhe mbi të gjitha përgjegjësinë të prodhojë një lidership të ri që të nisë procesin e vështirë por shpresëdhënës të ringritjes së parties”, shprehet Xhaferaj.





