Kryetari i Partisë Demokratike në Durrës, Ferdinand Xhaferaj, doli ditën e sotme në një konferencë për shtyp për të denoncuar projektin e portit të Durrësit. Kryeministri Edi Rama prezantoi dy ditë më parë edhe maketin e portit.

Xhaferaj thotë se nisur nga rëndësi që ka porti i Durrësit, Partia Demokratike i ka kërkuar qeverisë sqarime për disa çështje që janë shumë problematike.

“Nisur nga rëndësi që ka porti i Durrësit për qytetin dhe gjithë Shqipërinë, ne i kemi kërkuar dhe vazhdojmë t’i kërkojmë qeverisë sqarime për disa cështje:  

Së pari, qytetarët akoma nuk e dinë se mbi cfarë studimi do zhvendoset porti ekzistues. Ku do të zhvendoset, kur do të zhvendoset, si do të zhvendoset dhe cfarë kapacitetesh do të ketë?

Së dyti, janë disa institucione Europiane dhe Ndërkombëtare që kanë financuar me kredi ndërtimin e infrastrukturës portuale.  Banka Europiane e Investimeve (BEI) ka financuar 17 milion Euro për ndërtimin e kalatës së kontenierëve.  Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka financuar 32 milion Euro për terminalin e trageteve. Banka Botërore ka financuar 13 milion USD për kalatën e përpunimit të grurit. Ndoshta problemi më i vogël është vlera financiare. Problemi madhor ka të bëjë me faktin se Rama po na largon gjithmonë e më shumë nga rruga drejt BE-së.

Së treti, çfarë do bëhet me kontratat koncesionare për terminalin e mallrave rifuxho dhe terminalin e pasagjerëve? Aty kemi kompani Gjermane që janë me koncesion për 35 vite. Përsëri do paguajmë në arbitrazh papërgjegjshmëritë e kryeministrit?”,- shprehet kryetari i degës së PD-së në Durrës.

Xhaferaj shton se Partia Demokratike nuk është kundër projekteve që e zhvillojnë qytetin e Durrësit, por këto projekte duhet të jenë transparente dhe ligjore. Ai i bënë thirrje drejtësisë së re të veprojë.

“Partia Demokratike nuk është kundër projekteve që zhvillojnë qytetin. Por, deri më tani kemi parë vetëm makete dhe nuk kemi as studime, as transparencë dhe as kuadër ligjor. Pra, kemi parë maketin e Ramës dje, darkën me arabët tek restoranti i famshëm i Nusretit të ministrit Ahmetaj dhe plackitjen që po i bëhet pa kuadër ligjor kësaj godine, që njihet si godina me xhama, (që sikurse shihet edhe kanë rrethuar). Qytetarët kërkojnë përgjigje nga qeveria për këto problematika dhe njëkohsisht drejtësia e re duhet të veprojë.”,- përfundon Xhaferaj.