Me mijëra protestues nga Durrësi janë nisur drejt Tiranës për të marrë pjesë në protestën kombëtare të opozitës, që pritet të nisë në orën 19.00 të mbrëmjes.

Kreu i PD-së së Durrësit, Ferdinand Xhaferaj bën të ditur për DurrësLajm se pjesa më e madhe e protestuesve janë nisur me mjetet e tyre private, pasi nuk dihet sesa do të vazhdojë protesta e 6-të kombëtare e opozitës së bashkuar.

Me autobus apo furgona janë nisur vetëm nga zonat periferike si Manzë etj.

Ndërkohë, sipas të dhënave zyrtare të PD-së qendrore, nga Durrësi janë nisur drejt Tiranës 9800 protestues. Po sipas të njëjtit burim, në Tiranë pritet të mbërrijnë nga e gjithë Shqipëria rreth 63 mijë protestues.

Në orën 19.00 të mbrëmjes së sotme do të zhvillohet protesta e 6-të kombëtare e opozitës së bashkuar, e cila që nga shkurti i këtij viti ka djegur mandatet e deputetit dhe kërkon dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe krijimin e një qeverie tranzitore që të garantojë mbajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme.