Kryetari i Partisë Demokratike – Dega Durrës, njëherësh kandidat për deputet në këtë qark, Ferdinand Xhaferaj, zhvilloi dje një takim me të rinjtë e qytetit. Gjatë takimit, z. Xhaferaj theksoi se rinia është prioritet i Partisë Demokratike dhe i bëri apel të pranishmëve që më 25 prill të dëshmojnë se nuk pranojnë t’u merret peng e ardhmja.
Sipas statistikave të përmendura në takim, më shumë se 80% e shqiptarëve nga 18-40 vjeç duan të largohen nga vendi, ndërkohë që 94% e atyre që jetojnë jashtë refuzojnë të kthehen në Shqipëri.
“Dëgjoj shpesh të thuhet se ka talente shqiptarë nëpër botë. Padiskutim që ka të rinj që duan të kontribuojnë në fusha të ndryshme. Por, mendoj se mbi të gjitha ka plot talente që janë ende në Shqipëri. Vetëm se talenteve në Shqipëri nuk u jepet mundësia që të shkëlqejnë”, tha Xhaferaj.
Më tej ai u ndal mbi 3 shtyllat kryesore mbi të cilat mbështetet programi i Partisë Demokarike për të rinjtë.
“Mbështetje për mirëarsimimin e të rinjve. Do të dyfishojmë buxhetin për arsimin. Të gjithë ata që vijnë nga familjet në nevojë do të studiojnë falas. 10 mijë studentëve më të mirë, për një vit do t’u mundësohet praktika profesionale me një pagesë prej 30 000 lekësh në muaj. Pika e dytë është punësimi i të rinjve, të cilët do të jenë përfituesit kryesorë nga hapja e 110 mijë vendeve të reja të punës. Si pikë e tretë kryesore, është mbështeteja e sipërmarrjeve që do të realizohen nga të rinjtë”, theksoi Xhaferaj.
Gjatë bashkëbisedimit, ai i shpjegoi të rinjve se programi i Partisë Denokratike është hartuar pas një pune shumë të gjatë me ekspertë vendas dhe të huaj, ku në diskutime janë përfshirë dhe grupet e interesit, në mënyrë që programi të jetë plotësisht i zbatueshëm në kontekstin shqiptar. “Por që të sjellim një ndryshim të vërtetë për vendin tonë, ne duhet të qëndrojmë dhe të përparojmë drejt integrimit në BE”, u bëri apel të rinjve kandidati Ferdinand Xhaferaj.





