Deputeti i Partisë Demokratike Ferdinand Xhaferaj, u pyet nga gazetarët ditën e sotme për protestën e thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha më 7 korrik kundër rritjes së çmimeve.

Xhaferaj tha në hyrje të Kuvendit se në protestë nuk mund të dilet për halle personale dhe nëse duhet që të shpëtohet Partia Demokratike, Berisha duhet të bëjë një hap pas.

Deputeti i Durrësit tha se çmimet nuk janë rritur tani, por ka 10 vite që Rama ua nxin jetën qytetarëve dhe kësisoj nuk mund të dalin në protestë kur i nxihet emri i tyre.

“Unë jam këtu për t’i sqaruar qytetarët që protesta nuk ta bëjë me hallin e qytetarëve. Halli personal nuk mund të vishet me hall qytetar.

Në qoftë se duam të shpëtojmë të djathtën, Berisha duhet të bëjë një hap prapa. Dhe politikanët e gjeneratës së mesme brenda kësaj partie apo edhe jashtë kësaj partie, që kanë eksperiencën dhe energjinë, mund të marrin drejtimin për ta bërë të djathtën parti qeverisëse.

Rama nuk i ka rritur çmimet tani, po bëhen 10 vite që nga dita në ditë, nga muaji në muaj dhe nga viti në vit ua nxin jetën qytetarëve. Por ne nuk mund të dalim në protestë kur na nxihet emri ynë”, u shpreh Xhaferraj.