Deputeti i Partisë Demokratike Ferdinand Xhaferaj theksoi sot në Kuvend se “korrupsioni është kthyer në një problem madhor për vendin, i cili do të marrë fund vetëm me largimin e qeverisë”.
Duke iu përgjigjur deklaratës së kryeministrit Rama se opozita nuk shkonte në komisionin anti-korrupsion në Kuvend pasi besonte edhe vetë se nuk do të vinte në pushtet, Xhaferaj u përgjigj se opozita në fakt mendon se qeveria është problemi në lidhje me korrupsionin dhe jo zgjidhja.
“Para se të mbyll fjalën nuk mund të rrija pa komentuar një shprehje të kryeministrit dje, se opozita nuk shkon në komisionin antikorrupsion se nuk e beson se mund të vijë në pushtet.
Ne nuk shkojmë në Komisionin Anti-korrupsion, ku edhe qeveria është pjesë, sepse qartësisht mendojmë se qeveria është problemi kryesor i korrupsionit në vend dhe për pasojë nuk mund të jetë edhe zgjidhja.
Lidhur me faktin se ne si opozitë as vetë ne nuk e besojmë që do të vijmë në pushtet, ne i themi kryeministrit se është e vërtetë që opozita po has shumë vështirësi për t’u rritur.
Por, dhe ky është një por i madh unë e besoj që opozita mund të dalë me sukses në zgjedhjet e ardhshme dhe pse?
Sepse Shqipëria ka prekur fundin lidhur me korrupsionin”, tha Xhaferaj duke renditur ndërkohë edhe disa prej çështjeve të fundit të hetuara nga drejtësia.
“Nisim me inceneratorët, një tufë plehrash me dy këmbë që janë emëruar nga Rama, dhe kanë abuzuar frikshëm me fondet për të djegur plehrat. Zv. Kryeministri nga arratia që gishtin për korrupsionin e vë tek Rama dhe tek Veliaj, 5D në Bashkinë e Tiranës shënon një nga aktet më të turpshme të korrupsionit në planet ku zyrtari hap kompani për t’i marrë të gjitha për vete.
Shëndetësia ku dosja me mijëra faqe e korrupsionit të koncesioneve ka tejmbushur zyrat e SPAK-ut.
Të gjitha këto dëshmojnë se shteti ka degraduar në atë përmasë sa së fundmi pamë edhe mjekët që vrasin pacientë. Kjo është Shqipëria e 2024 që qeveris Edi Rama. Një Shqipëri ku mjeku vret pacientin për të shkuar në Maldive. Dhe Ministrja e shëndetësisë deklaron se e neveriste rastin.
Jo i neveritshëm është kryeministri që nuk shkarkon në moment ministren dhe të gjithë zinxhirin drejtues. Pra në 2025 njerëzit do të votojnë që të shporret kjo mënyrë qeverisje”, theksoi deputeti i PD.
Më herët, Xhaferaj debatoi me minisitrin e Mbrojtjes Niko Peleshi në lidhje me ligjin e ri për Inteligjencën e Mbrojtjes, ku në pozicionin e zv.kryetarit të Komisionit të Sigurisë në Kuvend, theksoi se me ndryshimet e bëra, ministria ka caktuar në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe se kush do të jenë drejtuesit e rinj të kësaj njësie.