Kreu i PD-së për Durrësin, Ferdinand Xhaferraj, doli sot përpara medieve për të denoncuar sipas tij, një tjetër skandal me abuzimet e fondeve të rindërtimit në këtë qytet.

Në lagjen nr.1 të Durrësit, Xhaferraj deklaroi se një pallat shumëkatësh, që në fakt është i padëmtuar nga tërmeti, rezulton i klasifikuar me nivelin e dëmtimeve DS3.

“Nga verifikimet që ekspertë të fushës i kanë bërë objektit rezulton e qartë që kemi të bëjmë me një godinë krejtësisht të padëmtuar. Kuptohet menjëherë që kategorizimi si “DS3” është bërë vetëm për të abuzuar me fondet e rindërtimit”, denoncon Xhaferraj, i cili nga ana tjetër krahason se si janë godinat e tjera në Durrës që janë klasifikuar DS3.

“Ju paraqes fakte nga godina të zonës së plazhit dhe lagjes nr. 18, për të kuptuar se kemi të bëjmë me abuzime flagrante të fondeve të rindërtimit. Të gjithë kemi qenë dëshmitar të protestave të banorëve të pallateve të klasifikuar me dëmtime DS3 që kishin frikë të shkonin në shtëpi, madje as nuk hynin dot në pallat për të marrë sendet shtëpiake.

Ambasadorja Juri Kim e dinte se me cfarë qeverie të korruptuar kishtë të bënte kur kërkoi që të ngrihet një akademi transparence për fondet që akordoi komuniteti ndërkombetar. Sikurse kemi dëshmuar dhe po dëshmojmë, zonja Kim ka pasur plotësisht të drejtë. Me Ramën, Dakon dhe Çelën qytetarët e Durrësit janë edhe të braktisur edhe të vjedhur”, u shpreh Xhaferraj.

Më tej ai shtoi se PD po bën gati denoncimin e katërt, pasi deri më tani i janë dërguar 3 dosje SPAK-ut, që kanë të bëjnë me abuzimet me fondet, me ndërtimin e rrugëve, me fondet e tërmetit etj.