Kryedemokrati i degës së Durrësit, Ferdinand Xhaferraj në një takim me banorët në ish-Kënetë deklaroi se kjo zonë do të marrë zhvillimin që meriton dhe qytetareve do tu rikthehet dinjiteti.
Gjatë takimit, ai përmendi arritjet e tij kur ishte deputet në ish-Kënetë dhe investimet e atëhershme të qeverisë së djathtë.
“Asokohe, në zonë mungonte furnizimi me ujë thuajse në çdo shtëpi. Kishte mungesa të theksuara të furnizimit me energji elektrike dhe infrastruktura bazë ishte e mjerueshme. Me punë dhe vullnet, në përfundim të mandatit të PD-së, u sigurua totalisht furnizimi me ujë dhe energji elektrike, si dhe ndërtimi i kilometrave rrugë në këtë zonë”, theksoi Xhaferraj.
Kryetari i degës së PD-së Durrës shtoi se gjatë 8 viteve të fundit nga qeveria e Edi Ramës, jo vetëm që nuk është bërë asnjë investim në zone, por varfëria vetëm sa është shtuar.
“Bashkë me varfërinë është shtuar në fakt edhe mllefi i qytetareve ndaj qeverisë së Edi Ramës. Shumë shpejt, ish-Këneta do të marrë zhvillimin që meriton dhe qytetareve punëtorë të kësaj zone do tu rikthehet dinjiteti”, tha ai.





