Në të njëjtën ditë kur në qytetin e Durrësit nisi një aksion pastrimi me urdhër të kryebashkiakes së sapozgjedhur, Partia Demokratike dega Durrës, del me një deklaratë për mediat për të denoncuar papastërtinë e qytetit teksa ndodhemi në pikun e sezonit turistik.

Kreu i degës lokale Ferdinand Xhaferri, tha sot nga selia blu, se Durrësi nuk pastrohet, qytetarëve nuk iu shërbehet dhe vetëm abuzohet, duke e ilustruar me pamje nga rrugët kryesore të Durrësit.

Xhaferri u ndal te shëtitorja “Taulantia”,  sipas të cilit, përbën një rast shumë të rëndë të ndotjes mjedisore, pasi inertet e ngurta hidhen në det në kundërshtim të hapur me ligjin.

“Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë në nenin 203, thekson se ndotja e ujërave të deteve me lëndë dhe substanca që prishin ekulibrin ekologjik, dënohet me burgim nga 1 deri në 5 vjet”, tha Xhaferri.

Po ashtu, ai denoncoi edhe punimet në bulevardin “Dyrrah” në mesin e sezonit turistik.

Ndërhyhet në këtë segment, duke shpenzuar përsëri 67 milionë lekë të rinj. Për këtë bulevard, janë shpenzuar në vitin 2012, 140 milionë lekë të rinj, në 2016-n është shpenzuar përsëri dhe po ndërhyhet edhe sot”.

Sipas kreut të PD-së së Durrësit, duket qartë që  ndërhyrjet bëhen për të garantuar abuzimin e radhës, dhe jo për t’i shërbyer qytetarëve; për të përfituar dhe jo për të përmirësuar jetën e qytetarëve.

Të gjitha këto, thotë Xhaferri, dëshmojnë përçmimin që ka qeverisja qendrore dhe lokale për qytetin e Durrësit.

S.L.