Kryetari i Partisë Demokratike në Durrës, Ferdinand Xhaferri, vijon takimet për riorganizimin e strukturave të partisë, në kuadër të zgjedhjeve lokale që do të mbahen vitin e ardhshëm. Gjatë takimit me demokratët në zonën e Spitallës, Xhaferri iu kërkoi të kuptojnë situatën aktuale dhe të reagojnë fort për të rrëzuar këtë regjim. Xhaferi tha se nuk kemi të bëjmë me një forcë normale politike me të cilën duhet të konkurojmë në mënyrë demokratike, por kemi të bëjmë me një regjim, i cili duhet të konkurrohet me gjuhën e Kukësit.

Duke bërë një krahasim mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, Xhaferri tha se qeveria mbushi me drogë Shqipërinë, kriminalizoi parlamentin, ndërsa PD-ja denoncoi nga Brukseli në Uashington për kanabizimin e vendit dhe dekriminalizoi parlamentin. “Edhe ministrin më të rëndësishëm të qeverisë që është ministri i Brendshëm, PS-ja e zgjodhi nga familje mafioze”, deklaroi Xhaferri.

Xhaferri ishte i ashpër në autokritikën për funksionimin e degës së PD-së në Durrës dhe u tregua i drejtpërdrejtë me mbështetësit, të cilëve u kërkoi që të dalin nga tulatja në përballjen me pushtetin kriminal siç e cilësojnë demokratët qeverinë e majtë.

K.H.