Është një “vëllazërore” që në start të Europianit për të, pasi përballë do të ketë vëllanë e tij, Taulanti. Bëhet fjalë për Granit Xhakën, djali i vogël i kësaj familjeje që ka veshur fanellën e kombëtares zvicerane ndryshe nga vëllai i tij.

Në një koment për mediat helvete, Xhaka ka deklaruar se nuk do të dëshironte që të kishte këtë short, pikërisht për shkak se në fushë do të ketë kundërshtar vëllanë e tij. “Personalisht nuk e dëshiroja që të binte ky short. Përflitej shumë që pas kualifikimit të Shqipërisë për mundësinë që të mund të ishim në një grup, por unë nuk doja që të luaja kundër Taulantit. Do të jetë një ndeshje speciale kundër Shqipërisë, sidomos për mua që do të përballem me Taulantin”, është shprehur fillimisht mesfushori i Mynshengladbahut.

Sipas djalit të vogël të familjes, është e pazakontë dhe do të jetë speciale për të dhe vëllanë e tij që të mund të jenë në fushë kundër njëri-tjetrit. Megjithatë, fakti që të dy djemtë e familjes janë në Europian, ka qenë një ëndërr e shumëdëshiruar e familjes.

“Është një ëndërr e familjes që të dy ne të luajmë në Europian dhe, në fakt, kjo gjë u realizua. Synimi ynë kryesor do të jetë që të kalojmë grupet dhe mendoj se është një objektiv i arritshëm”, ka deklaruar Granit Xhaka sa i përket shortit për në “Francë 2016”.

Xhemaili-Është edhe ai një nga lojtarët e shumtë shqiptarë që kanë zgjedhur të luajnë për Zvicrën.

Blerim Xhemaili ishte ndër të parët lojtarë që e uroi trajnerin e Kombëtares shqiptare pas kualifikimit dhe që mori pas një “ngacmim” nga trajneri: Bëni kujdes se po vijmë! Në fakt, ashtu ndodhi, pasi Zvicra do të duhet ta nisë Europianin kundër Shqipërisë.

Për Xhemailin, kjo do të jetë një ndeshje normale.“Ndaj Shqipërisë do të jetë kënaqësi që të luajmë, pikërisht në takimin hapës të kompeticionit. Do të jetë një ndeshje si të gjithë të tjerat, pasi është një sfidë që vlen tri pikë, që na duhet për të shkuar përpara në Europian. Mendoj se jemi në një grup të mirë ku kualifikimi është më se i mundshëm për ne. Mendoj se ne dhe Rumania do të mund të luajmë për vendin e dytë që kualifikohet”, ka deklaruar mesfushori i Xhenoas, Xhemaili.