Granit Xhaka vihet në siklet kur flitet për Shqipërinë. Futbollisti nga Prishtina e konsideron mjaft të vështirë përballjen me Kuqezinjtë dhe për më tepër do të luajë kundër vëllait të tij, Taulantit. Sidoqoftë, ai premton se do ta bëjë më të mirën për Zvicrën si profesionist që është, duke uruar që shqiptarët dhe zviceranët të kalojnë fazën e grupeve.
Ky takim do të jetë i rrallë, pasi nuk kishte ndodhur në të kaluarën që dy vëllezër të luajnë në Evropian kundër njëri-tjetrit. 23-vjeçari, i cili gjendet në Kosovë për pushime, ka folur për gazetën “Zëri” duke shprehur emocionet që ndien për përballjen me Shqipërinë. Për të, kjo nuk do të jetë hera e parë që luan ndaj Kuqezinjve.
“Jo vetëm kundër Taulantit që është vështirë që të luaj, por edhe kundër Shqipërisë. Kemi pasur ndeshje me Shqipërinë edhe para dy vitesh, dhe ka qenë shumë e vështirë. Tani që është edhe vëllai im me Kuqezinjtë, do të jetë edhe më e vështirë. Gjithsesi, ne jemi profesionistë dhe duhet të luajmë”, tha Xhaka.