29 gusht 2015 – Takimi mes Partizanit dhe Flamurtarit nuk u ngjit në pritshmëritë e duhura, duke ditur merkaton që kanë bërë të dy klubet. Takimi u ndoq nga një numër jo i madh tifozësh, rreth 4 mijë, ku një grup prej 30 vetash i “Flotës Kuqezi” u pozicionua në tribunën anësore, tek ora elektronike.

Takimi i djeshëm i pati të gjitha, gola të shënuar, fitore dramatike, kartonë të verdhë dhe të kuq, ndërhyrje të ashpra në fushë, hedhje sendesh nga ana e tifozëve, përplasje mes ultrasve dhe forcave të policisë. Gjykimi i kryesorit Meta ishte më i kontestueshmi dhe u bë burim për tensionet në fushë dhe stadium. Tifozët nuk i kursyen ofendimet në këtë takim, kryesisht ndaj protagonistëve që ishin në fushë, ndërsa vlonjatët në fund nuk harrojnë të përshëndesin FSHF-në, të cilën e konsiderojnë si inkuizitoren e Flamurtarit. Pjesa e parë nuk ishte problematike, si në fushë, por edhe në tribuna, kështu që palët mbështesnin benjaminët e tyre. Por tifozët e kuq nuk kanë harruar që në disa raste të përshëndesnin dhe të thërrisnin në kor emrin e ishkapitenit të tyre, Nderim Nexhipi, që dje ka luajtur për herë të parë ndaj Partizanit. Në minutën e 49-të regjistrohet rasti i parë i tensionit në fushë. Mazrekaj dhe Raçiç përplasen me Grecën, Fushtar dhe Telushin. Tifozët e kuq e konsiderojnë të pakuptimtë reagimin e vlonjatëve dhe menjëherë përdorin arsenalin e tyre, duke hedhur sende në fushë. Ajo çka i irritoi më shumë ishte mesfushori Trap, që rrëmben një shishe dhe drejtohet drejt gjyqtarit. Pas këtij momenti, në tribunën e tifozëve nuk ka qetësi. Ka përplasje mes ultrasve dhe forcave të rendit, madje nga goditjet e policëve një tifoz i të kuqve gjakoset në fytyrë. Tifozi i dhunuar zbret në pistën e stadiumit dhe i drejtohet ambulancës, ku merr mjekimin e parë dhe më pas dërgohet për në spital. Për shkak të përplasjeve me forcat e rendit, disa tifozë të Partizanit u shoqëruan në Komisariatin Nr.1 të kryeqytetit.

Probleme pati edhe në anën e tifozëve vlonjatë në tribunën qendrore, kryesisht për ofendimet që hidhnin karshi gjyqtarëve, apo edhe lojtarëve të Partizanit. Fundi i ndeshjes solli shpërthimin e vlonjatëve, të cilët dufin që kishin për humbjen e shfrynë te xhamat e vetratave të stadiumit. Sipas dëshmitarëve që ishin prezent, Telushi theu një nga xhamat e portës hyrëse afër tunelit ku lojtarët zbresin në fushë. Ndërsa portieri Haliaj theu një nga xhamat e dritareve të dhomave të zhveshjes. Pas ndeshjes, trajnerit Levi nuk i zinte vendi nga zemërimi dhe, sipas tij, me këta gjyqtarë nuk ka kuptim futbolli. Tribuna VIP ishte e tejmbushur kësaj radhe, ku të pranishëm qenë politikanë, presidentë klubesh, figura të sportit, miq të presidentit Demi. Ajo që ra në sy ishte një komunikim i përzemërt dhe i gjatë mes dy drejtuesve të klubeve, Gaz Demi dhe Sinan Idrizi.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/