29nëntor 2015 – Janë këngëtarët që i kanë kënduar shpeshherë, madje kanë në repertorin e tyre të paktën një ose më shumë këngë patriotike, të cilat i kanë kthyer në hite, që i këndojnë vetë ata edhe kolegët e tjerë. Ata tregojnë për Panoramën se cilat këngë i këndojnë më shpesh në festat e nëntorit.
Meda
Për sa i përket këngës më të mirë e më të përsëritur që e këndoj, është kënga “Kuq e zi”. Nuk mund të lë pa përmendur edhe këngën e kënduar në shumë versione, “Xhamadani vija-vija”. Natyrisht që për këtë festë çdokush anon nga veshja me ngjyrat e simbolit kombëtar. Më lejoni që të shtoj edhe nuancat e flamurit që valoi në natën e 14 tetorit 2014, dhe që shokoi të gjithë ata që historikisht na kanë halë në sy.
Gjyste Vulaj
Nuk kam rast ta hap programin në këtë festë e as në festa të tjera, sepse më ruajnë si ëmblësirën për në fund… Për të filluar me himnin kombëtar, por gjatë kësaj mbrëmjeje unë s’mundem të kaloj pa këndu këngën më të bukur atdhetare të Shkurte Fejzës, “Xhamadani vija-vija”, po ashtu edhe këngën e Gzim Nikës, “Shqipëri o nëna ime” e me këto e lidhi edhe këngën time atdhetare me titull “Atdheu im është Shqipëria”. Preferoj të vesh diçka të kuqe, të zezë, ndonjë gjë dyngjyrëshe, që të jetë dukshëm simbolikë e flamurit shqiptar. Kam bërë special në argjendari një rrip me dy shqipe që i mbaj me dëshirë, jo veç për këtë datë, por edhe në mbrëmje të rregullta.
Artiola Toska
Kënga që këndoj më shumë është “Fol shqip”
Valbona Mema
Kënga që unë dhe shumë kolegë atë ditë e këndojmë pa pushim është “Xhamadani vija-vija”, ka dhe shumë të tjera, por kjo dominon.
Rovena Stefa
Kënga që e këndoj më shpesh është sigurisht “Xhamadani vija-vija”, përfaqëson një dashuri të përjetshme për shqipen, për bashkimin kombëtar. Sigurisht, e kuqja është për më tepër ngjyra ime e preferuar. Sidomos në këtë ditë festë, ajo merr akoma më shumë kuptim.
Lori
Kënga më e bukur që këndohet disa herë është “Xhamadani vija-vija”. Por këndoj edhe “Thërret Prizreni”, apo Këngën e Flamurit etj. Zakonisht vishem me të kuqe, por ka raste që mund të përdor edhe ndonjë simbol.
Gold Ag
Është kënga “Urime Shqipni”, kënga ime e cila doli për 100-Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Flamurin dhe tatuazh e kam, e kështu kuqezi vishem shpesh. Këngë flamurit do t’i kushtoj deri sa të lë muzikën, sepse për fat të mirë, nuk jam patriot vetëm këtë ditë.
/portali DurresLajm/