TIRANE, 10 tetor 2013 -Ndërtimi i Xhamisë së Namazgjasë në rrezik! Pronarët e tokës kanë deklaruar se vendimi i Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT) për anulimin e një pjese të lejes së xhamisë, sjell prishjen e marrëveshjes që ata kanë me Komunitetin Mysliman dhe automatikisht bllokimin e projektit të Xhamisë së Madhe. Alban Bala, nip i familjes Kruja, e cila zotëron mbi 3 mijë metra katrorë truall në Sheshin e Namazgjasë, ku në një pjesë të tokës së tyre do ndërtohet Xhamia e Madhe e Tiranës, ka thënë se me vendimin e marrë nga KKT-ja bie poshtë dhe ndërtimi i xhamisë, pasi u prish marrëveshja që ata kishin me Komunitetin Mysliman. Gjatë një interviste për Gazetën, Bala ka sqaruar detajet e kontratës noteriale që ata kanë pasur dhe pasojat që vijnë nga vendimi i KKT-së. Sipërfaqja totale e ndërtimit te Namazgjaja është rreth 9 mijë metra katrorë, nga të cilat, mbi 3 mijë metra janë pronë e familjes Kruja, që i është kthyer në vitin 1994. Pjesa tjetër, afër 6 mijë metra katrorë, i përket Komunitetit Mysliman. Kjo tokë ishte e mjaftueshme për të ndërtuar Xhaminë e Madhe të Tiranës, por toka që KMSH disponon është në formë të germës L, duke e bërë të pamundur ndërtimin. Ndaj ata nisën negociatat me familjen Kruja. Por ajo marrëveshje e arritur, sipas Balës, tashmë u rrëzua.
Zoti Bala, cila ka qenë marrëveshja që pronarët e një pjese të truallit te Namazgjaja kanë bërë me Komunitetin Mysliman?
Ka mbi një vit e gjysmë që KMSH ka nisur negociatat me ne për të mundësuar ndërtimin e xhamisë. Iu ofruam disa mundësi, ku një prej tyre ishte blerja e tokës nga Komuniteti Mysliman për të mundësuar xhaminë. Por KMSH zgjodhi opsionin tjetër. Që pronat tona, pra prona e familjes Kruja dhe prona e KMSH-së të zhvilloheshin bashkërisht, duke bërë që ne të hiqnim dorë nga 2 mijë metra katrorë të tokës sonë, të cilat i kalonin KMSH-së për xhaminë, në mënyrë që në pjesën tjetër të pronës prej një mijë metrash katrorë të ndërtonim një godinë polifunksionale.
Godina e cila u anulua me vendim të KKT-së; çfarë do të thotë ky vendim për ju?
Ishte një vendim i befasishëm. Ne nuk jemi vënë në dijeni për këtë çështje. Por ajo që dua të theksoj është se nuk mund të merret vendim i pjesshëm vetëm për objektin tonë, në një kohë që ka një marrëveshje me KMSH. Dhe veç asaj, lejet janë dhënë bashkërisht. Pasi i njëjti institucion që tani e anulon, pra Këshilli i Rregullimit të Territorit, e ka miratuar lejen e Xhamisë së Namazgjasë dhe të objektit polifunksional, duke pasur parasysh marrëveshjen që është lidhur mes palëve. Ky vendim i KKT-së sjell prishjen e marrëveshjes që është mes pronarëve dhe Komunitetit Mysliman dhe automatikisht sjell edhe bllokimin e ndërtimit të Xhamisë së Namazgjasë.
Objekti që do ndërtohej nga ju, sa kate ishte?
Bëhet fjalë për një objekt të përshkallëzuar, 3-4-6 dhe 8 kate, në formë shkallareje, i cili ishte bërë në harmoni me projektin e xhamisë, pasi u projektua nga e njëjta studio turke arkitekturore që realizoi projektin e xhamisë. Ne i dhamë dorë të lirë Komunitetit Mysliman që, edhe objektet që do ndërtoheshin në pronën tonë të bëheshin në harmoni me xhaminë, por Komuniteti u tregua i pabesë me deklaratat që nxjerr. Ai thotë se gëzojnë mbështetjen e qeverisë për projektin, duke anashkaluar marrëveshjen noteriale që ne kemi, e cila tashmë u rrëzua.
Cilët janë hapat që ju do ndërmerrni pas këtij vendimi të KKT-së?
Normalisht që e vetmja rrugë është t'i drejtohemi gjykatës, që të vendosë drejtësi mbi këtë padrejtësi që po na bëhet. Problemi është se nuk ka ende një vendim që të lexosh se ku qëndron paligjshmëria. Sikur të mos mjaftonte persekutimi gjatë diktaturës, ne vijojmë të ndihemi të persekutuar.
Xhamia, Lubonja: KKT ta pezullojë
Këshilli Kombëtar i Territorit duhet të pezullojë edhe ndërtimin e xhamisë, jo vetëm të ndërtesës polifunksionale. Kjo gjë është deklaruar nga publicisti i njohur Fatos Lubonja. Sipas tij, ndërtimi i xhamisë në parkun pranë Parlamentit nuk është i përshtatshëm, ndaj ai sugjeron që xhamia e madhe e Tiranës të ndërtohet mbrapa Pallatit të Kulturës. Veç kundërshtimit për vendin, Lubonja ka kundërshtuar edhe projektin, nga pikëpamja estetike. "Estetikisht është një projekt i shëmtuar. Nuk jam as për projektin që u përzgjodh në kohën kur Edi Rama ishte kryetar bashkie, sepse nuk dukej si xhami, por duhet një projekt tjetër më modern", – thekson Lubonja. Ndërsa besimtarë të fesë islame kanë thënë për "GSH" se ata ndihen të indinjuar në lidhje me atë çfarë po bëhet këto 23 vite me xhaminë e madhe të Tiranës.
Fatos Lubonja
Në një prononcim për "Gazeta Shqiptare", publicisti Fatos Lubonja shprehet se KKT duhet të anulojë edhe ndërtimin e objektit të kultit, që është parashikuar te lulishtja e Namazgjasë. "Komuniteti Mysliman po instrumentalizohet. Dhe veç asaj, kanë manipuluar me ndërtimin e xhamisë për të ndërtuar kulla në një hapësirë të gjelbër, të cilat janë të rralla sot në Tiranë. Personalisht jam shprehur kundër ndërtimit të xhamisë te Namazgjaja dhe i qëndroj mendimit që të ndërtohet mbrapa lulishtes së Pallatit të Kulturës", – ka deklaruar publicisti Fatos Lubonja. Sipas tij, ka disa arsye që aty të mos ndërtohet ky objekt kulti. "Janë disa arsye që xhamia të mos ndërtohet aty, një sepse nuk duhet të zhbëhet parku ekzistues, pasi gjelbërimi i mungon Tiranës. E dyta është se ai projekt është i estetikisht i shëmtuar dhe e treta është se leja i është dhënë bashkërisht me disa kulla", – thotë Lubonja. Sipas tij, jo çdo tokë duhet t'i kthehet pronarit dhe të lihet i lirë që të bëjë çfarë të dojë. "Dikush mund të pretendojë që ka pronësinë e lulishtes te sheshi 'Skënderbej' dhe të na ndërtojë kulla. Po kjo nuk mund të lejohet. Ndaj jo çdo pronë nuk mund t'u kthehet pronarëve, por atyre shteti t'u gjejë mënyra të tjera shpronësimi", – thekson publicisti.
Besimtarët
Besimtarët myslimanë kërkojnë që ndërtimi i xhamisë së madhe të mos pezullohet dhe t'i jepet këtij komuniteti fetar një objekt dinjitoz kulti. "Ndërtimi i xhamisë po kthehet në një çështje politike. Është turp që ende pas 23 vitesh komuniteti më i madh i fetar në Shqipëri nuk ka një xhami dinjitoze. Nuk jemi dakord as me atë çfarë ka thënë kreu i KMSH se me pronën tonë bëjmë çfarë të duam. Ne duam xhaminë, e cila nuk i përket asnjë force politike, por u përket besimtarëve", – ka thënë besimtari Ilir Hoxha. Po ashtu edhe përfaqësuesi i Forumit Rinor Islam, Roald Hysa ka thënë se: "Kjo xhami ka nisur qysh herët dhe janë mbi 20 vite përpjekje, e të marrësh vesh përsëri që kjo nuk do të bëhet, është jashtëzakonisht e rëndë. Shqetësimi ynë është i ligjshëm dhe ne duam garanci se puna e nisur do të vazhdojë dhe pas dy ose tri vitesh të kemi mundësi si besimtarë praktikantë të falemi në një xhami dinjitoze për komunitetin tonë".
/GazetaShqiptare/
Xhamia e Namazgjasë, pronarët: U prish pakti. Lubonja: KKT ta pezullojë
Na bëni like ne facebook:
Na ndiqni ne rrjetet tona sociale:
Të ngjashme
Të fundit
Sekuestrohet 1.5 kg lëndë narkotike e ardhur nga Kanadaja, pranga 23-vjeçarit
Këmbimi valutor, 20 dhjetor 2025
Chiara Ferragni, miliona euro humbje dhe rreziku i burgut në horizont!
Bill Clinton thyen heshtjen pasi i dalin fotot nga dosja ‘Epstein’





