PRESHEVE– Ditë më parë në rrugët e Preshevës është vërejtur prani më e vogël e policisë, është fjala kryesisht për policë të komunikacionit.
Sipas një fotografie të bërë në orën 2:30 të mëngjesit, nga portali presheva.com, monumenti i UÇPMB-së ende nuk është rrënuar.
Ndonëse sipas raportimeve të mediave serbe forcat e xhandarmërisë janë përqendruar pranë Komunës së Preshevës, lapidari që nderon luftëtarët e UÇPMB-së qëndron në vendin ku është ngritur.
Anëtarët e xhandarmërisë serbe arritën në Preshevë dhe janë stacionuar në afërsi të monumentit që u ngrit për të nderuar luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.
Në bazën e xhandarmërisë afër Bujanocit mbërritën pesë autobusë të ngarkuar me policë. Një natë më parë në këtë bazë ka ardhur edhe një kontingjent i xhandarmërisë.
Gjithçka është absolutisht në gatishmëri, që të zbatohet “vendimi i shtetit të Serbisë”, përkatësisht kërcënimi i kryeministrit serb, Ivica Dacic, për ta hequr këtë lapidar.
Megjithatë, skenari i veprimit është duke u mbajtur në fshehtësi të plotë, kështu që vetëm udhëheqja e lartë shtetërore serbe e di se kur dhe si do të marrë përsipër këtë operacion, shkruan Kurir.