Është një lidhje shumë e bukur dhe shkojmë shumë me njëri-tjetrin. Ndjehemi shumë mirë dhe të tjerat ia lëmë kohës”… Kështu ka thënë i pyetur për martesën kampioni i “Kik-boksit” Xhavit Bajrami në gazetën kosovare “Zëri”. Pas publikimit të historisë së dashurisë midis tij dhe bukuroshes Rudina Magjistari në suplementin “Bluetooth”, duket se çifti nuk ka nevojë të fshihet më. Ishte Rudina ajo që tregoi e para mbi njohjen dhe më pas lidhjen e tyre. Ashtu si e dashura e tij bukuroshe, edhe Xhati siç e thërret Rudina tregon se kontakti i tyre i parë ka qenë nëpërmjet internetit.

“Fillimisht jemi njoftuar përmes internetit pastaj jemi takuar për disa çështje pune dhe kështu pak nga pak ka ndodhur e gjitha”, rrëfen kampioni. Për shkak të punës atij i duhet që të jetë gjithë kohën në lëvizje, dhe kjo ka bërë që çifti të jetojë një marrëdhënie në distancë, mirëpo duket se largësia nuk i bën përshtypje sepse siç pohon edhe ai vetë, teknologjia i ka mundësuar të jenë gjithë kohën bashkë. Prania e Rudinës nuk e pengon aspak punën dhe karrierën e tij. Pyetjes a ka ndikuar Rudina që ai të lërë pas dore sportin, Xhaviti i përgjigjet: “Jo aspak. Përkundrazi ajo më motivon akoma më shumë për të qenë i suksesshëm në këtë pasion dhe profesion timin që është sporti. Pavarësisht se jemi larg fizikisht jemi gjithë kohës bashkë. E kjo nuk është më çudi për askënd në ditët që po jetojmë. Gjithsesi udhëtimet e mia për në Tiranë janë shpeshtuar shumë”, ka thënë Bajrami. 

Karriera 

Xhavit Bajrami është kampion botëror në kategorinë e rëndë në versionin ISKA, titull të cilin e mban nga viti 2004. Kampioni shqiptar ka treguar gjithashtu për “Zërin” rreth ndeshjes së ardhshme, e cila pritet të mbahet këtë vit dhe planet e tij pas daljes në pension. Ndeshjen e fundit “Xhentëlmeni” siç njihet ai në botën e “Kik-boksit” e kishte zhvilluar në korrik të vitit 2012-të ku kishte mbrojtur titullin e kampionit botëror për peshat e rënda, duke e mposhtur me KO japonezin Takenori Onda. “Do të ketë edhe një ndeshje të ardhshme së shpejti këtë vit për të cilën jam duke u përgatitur intensivisht”, ka thënë 36-vjeçari nga Dumoshi i Podujevës, i cili aktualisht jeton në Luzernë të Zvicrës.

Krahas pjesëmarrjes aktive nëpër gara, Bajrami ka edhe një shkollë të veten ku u mëson të rinjve se si të bëhen kampionë të ardhshëm. Në këtë aktivitet privat ai kalon një pjesë të mirë të kohës të tij. “’Kik-boksi’ bën pjesë në sportet marciale dhe është një sport të cilin unë e dua shumë. Ndaj dëshiroj të punoj gjithmonë për të në mënyrë që të rinjtë të kuptojnë thelbin dhe filozofinë e këtij sporti burrëror”, shtoi Bajrami, duke theksuar se tashmë ka nisur të mendojë edhe për largimin e mëvonshëm nga ky sport.

“Unë nuk do të ndeshem gjithë jetën në ring ndaj edhe mbyllja e karrierës sime me një ndeshje finale pas pak kohësh do të vij natyrshëm”, zbuloi ai. Megjithatë “Kik-boksi” do të jetë gjithmonë primarë për të. “Pasi të dal në pension do të merrem me promovimin e këtij sporti, por edhe të sporteve në përgjithësi. Kombi shqiptar ka shumë talente sportive për të cilët duhet investuar duke ndërtuar strategji të posaçme për t’i mbështetur ato. Por edhe edukimi i gjeneratave të reja me një frymë sportive për t’i bërë ata më të fortë dhe më të shëndetshëm duke e bërë sportin pjesë të përditshme të jetës së tyre. Ky është një ndër objektivat që kam”, përfundoi kampioni botëror.