FIER – Dy ditë pas ngjarjes makabre, ku 21-vjeçari Andi Prifti u vra me thikë dhe trupi i tij u hodh në një kanal pranë fshatit Seman, familjarët e tij kërkojnë që shteti të gjejë dhe të dënojë sa më shpejt vrasësit. Në një intervistë, xhaxhai i 21-vjeçarit Pandi Prifti tregon se nipi i tij vazhdonte studimet në Tiranë në degën Juridik dhe në fundjavë ishte kthyer pranë familjes. Ai ka bërë apel që shteti të gjejë dhe të vërë pas hekurave sa më shpejt autorët e vrasjes së nipit. Trupi i pajetë i Andi Priftit u gjet pasditen e së dielës nga banorë të zonës, në një kanal pranë fshatit Seman, në vendin e quajtur "Kulla e Ujit".

Sipas policisë së Fierit, viktima natën e krimit kishte luajtur në një pikë bastesh, ku kishte fituar 500 mijë lekë të vjetra. Ndërkohë nga dëshmitë e personave të shoqëruar, mësohet se pasi ka fituar paratë, 21-vjeçari është larguar me dy shokë të tij për të festuar. Për të zbardhur ngjarjen blutë e Fierit kanë shoqëruar një numër të madh personash, rreth 50, pjesa më e madhe shokë të viktimës. Fillimisht nga policia u njoftua se 21-vjeçari ishte vrarë me një plumb, por pas ekspertizës mjeko-ligjore është konstatuar se Andi Prifti është qëlluar tri herë me thikë, ku njëra prej plagëve ka qenë në fyt dhe dy në trup. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se viktima është vrarë në një vend tjetër dhe më pas është hedhur në kanalin ku u gjet. 21-vjeçari është përcjellë dje nga të afërm, miq e shokë për në banesën e fundit. Në familjen Prifti në lagjen "Sheq i ri", në Fier, hyjnë e dalin vazhdimisht njerëz me të zeza, të cilët duke mos i përmbajtur dot lotët për vdekjen e 21-vjeçarit, mundohen të ngushëllojnë familjarët e tij. 
 

Z.Prifti kur erdhi nipi në shtëpi? 

Andi kish ardhur që të premten në darkë në shtëpi për fundjavë, pasi ai vazhdonte studimet për juridik në Tiranë. 
 

Çfarë keni marrë vesh për ngjarjen, si ndodhi? 

Të shtunën pasdite Andi kish dalë me shokët për kafe. Po atë natë në darkë kishte marrë në telefon familjen dhe u kish thënë që do të vonohej pak, madje kish porositur edhe një picë që t'ua çonin prindërve të tij në shtëpi. Kjo ka qenë telefonata e fundit e tij. 
 

Po më pas çfarë ndodhi? 

Më pas, prindërit e tij i binin telefonit, por dilte i fikur. Në fakt, Andi u kishte thënë se i kish rënë bateria e telefonit. 
 

Çfarë bënë familjarët më pas? 

Të dielën në mëngjes, pasi djali nuk kishte shkuar në shtëpi, ata kishin shkuar në polici dhe kishin bërë denoncimin. Thanë në polici që djali s'kishte shkuar dhe kishin treguar se çfarë rrobash kishte veshur. 
 

A ka pasur probleme nipi juaj, Andi apo familja? 

Si familja, ashtu edhe djali nuk kanë asnjë lloj hasmërie, janë shumë të rregullt, s'i kemi borxh askujt. As vetë s'e kuptojmë se për çfarë e kanë bërë këtë punë. 
 

Cili është apeli juaj, çfarë kërkoni? 

Kërkojmë drejtësi. Shteti ta zbardhë ngjarjen, të gjejë vrasësin e të çohet pas hekurave sa më shpejt.