Tiranë, 14 qershor 2014 – “Vajza jonë nuk ishte tip që mund të mendonte vetëvrasjen. Dyshojmë që e kanë hedhur. Hetimet të shkojnë deri në fund”. Keshtu thote ne nje interviste per “Panorama” xhaxhai i studentes Iris Belba, e cila mesditën e 10 qershorit humbi jetën pasi u hodh nga lartësia e Sky Tower- it në Tiranë, hedh poshtë dyshimet e deritanishme për vetëvrasje të 23-vjeçares.

Kujtim Belba ka dëshmuar se edhe pse kanë kaluar disa ditë që nga vdekja e mbesës, askush nuk ka marrë kontakt me familjen e tyre për të zbardhur ngjarjen. Familjarët kërkojnë të zbardhet ngjarja, duke qenë të bindur se bija e tyre nuk do ta merrte kurrë një hap të tillë.

Kujtim, kur e morët vesh ngjarjen për vdekjen e mbesës?

Atë ditë, pak minuta pasi ndodhi, morëm lajmin në telefon dhe u nisa bashkë me vëllain, Dashin. Ishte ngjarja më e rëndë që kemi pësuar ndonjëherë. Jemi tronditur jashtë mase. Askush nuk e mendonte një gjë të tillë.

Si ndodhi ditën e fundit kur ndërroi jetë Irisi?

Irisi kishte dalë nga shtëpia në orën 13:45 dhe ne morëm lajmin se kishte vdekur në orën 14:10. Ajo kishte dalë si çdo ditë tjetër për të shkuar në shkollë pasdite. Kishte për të marrë ca materiale. Ishte veshur e rregulluar si çdo ditë tjetër dhe pasi ishte përshëndetur më të ëmën, kishte dalë.

Çfarë tha nëna e saj? Kishte vënë re shenjë dëshpërimi apo probleme emocionale te vajza?

Jo, absolutisht jo. Madje Alda edhe këto ditë po thotë: “Si më iku ashtu, aq e qeshur, aq e lumtur”. Dukej shumë vitale si çdo ditë të jetës së saj. Ashtu kishte dalë edhe atë ditë.

Ishte familja në dijeni të problemeve të saj me provimet e mbetura? Rreziku se do kalonte në stazh?

Jo, çfarë po thoni?! Ku e vuante ajo këtë gjë?! Ajo ishte një vajzë e mbushur me energji pozitive dhe përherë ishte natyrë optimiste. Nuk e gjunjëzonin provimet atë kurrë. S’e kishte problem fare. Shkollën e kishte marrë aq lehtë sepse ajo mësonte. Madje ajo këtë vit ishte në vitin e fundit për ekonomik dhe duke qenë se i pëlqente sfidat dhe ishte kërkuese për atë që do të bëhej nesër, kishte filluar edhe Juridikun. Dhe ishte shumë mirë në të dyja degët që ndiqte.

Po thoni që s’ka pasur të bëjë fare nota lidhur me këtë vendim fatal?

Unë s’di pse duhet ta quajmë vendim fatal të vajzës kur ende nuk ka folur drejtësia. Kjo është e para. E dyta pastaj që dua të sqaroj është fakti që ajo e linte provimin kur e merrte 9 sepse donte që herës tjetër ta merrte 10. Pra nuk kishte probleme për notë kaluese kurrë. Nuk e përjetonte ajo këtë gjendje sepse kishte kapacitet më të lartë se sa bashkëmoshatarët e tjerë.

Po thoni që Irisi ka qenë e vetëdijshme gjatë gjithë kohës. Kjo do të thotë që ajo s’ka pasur probleme me depresionin, sikurse është folur këto ditë nga njerëz pranë saj apo pranë familjes Belba?

Jo, asnjëherë nuk ka pasur depresion. E kuptoni që nëse do të kishte shenja të tilla ne do ta mjekonim, sepse i kishim të gjitha mundësitë që ta trajtonim vajzën, por ajo nuk ka pasur probleme të tilla kurrë.

/gazeta “Panorama”/