TIRANE, 25 gusht 2013 – Familjarët e Eliton Lafetajt, që u vra me dy plumba mbrëmjen e së premtes, përveç tronditjes nga ngjarja e rëndë që u ndodhi në derë të shtëpisë, nuk dinë te kush të dyshojnë dhe as të gjejnë një motiv për atë që ndodhi.

Xhaxhai i 37-vjeçarit, Ndue Lafetaj, hedh poshtë një nga pistat kryesore që ngriti grupi hetimor i Policisë së Tiranës menjëherë pas vrasjes, që lidhej më një plagosje që biznesmeni i kazinove kishte kryer në dhjetor të vitit 2011. Madje ai tregon se për atë ngjarje nipi i tij e kreu dënimin dhe situata ishte sqaruar, pasi gjithçka ndodhi aksidentalisht e askush nuk do të hakmerrej për të. Ndërsa në lidhje me veprimtarinë e Eliton Lafetajt (Elio Bendajt) jashtë kufijve të Shqipërisë, xhaxhai i tij nuk jep sqarime, duke qenë se sipas tij nipi nuk fliste shumë rreth jetës jashtë, e aq më pak të tregonte nëse ka pasur probleme apo jo. Nga të afërmit e viktimës mësuam se 37-vjeçari kishte vetëm disa muaj që ishte martuar dhe priste të bëhej baba. Ndërsa familja e tij përbëhej nga nëna dhe dy motrat. Ishte djalë i vetëm dhe babai nuk i jeton më.

Të afërmit nuk e kanë shumë të qartë se çfarë lidhje kishte ai me vajzën që mbeti e plagosur në makinën ku u qëllua për vdekje Lafetaj, por nuk ngurrojnë të thonë që mund ta kishte shoqe ose të dashur. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, xhaxhai i viktimës tregon se ai nuk ka ndonjë dyshim konkret se kush mund ta ketë kryer krimin. Por, nga ana tjetër, i kërkon Policisë së Tiranës që të zbardhë ngjarjen dhe të kapë autorët, pasi sipas tij, identifikimi i tyre nuk është shumë i vështirë të bëhet. Sipas tij, vendi ku ndodhi krimi, edhe pse duket si rrugicë pa ndonjë dalje dhe e fshehtë, përballë ka kamera sigurie që kanë qenë në punë në momentin kur ndodhi ngjarja dhe duhet të ketë filmuar momentin e krimit. “Këtu para hyrjes së pallatit e vranë dhe përballë ka kamera sigurie. Policia do nxjerrë diçka nga ato kamera se janë afër dhe përballë, patjetër që do kenë kapur diçka”, shprehet Ndue Lafetaj.

A jeni në dijeni të ndonjë konflikti që mund të ketë pasur nipi juaj?

Vëllai im kishte vetëm atë djalë. Im vëlla vdiq dhe unë e kisha si djalin tim. Na iku drita e syve e nuk di çfarë t’ju them më shumë. Ai jetonte më shumë jashtë shtetit se këtu në Shqipëri. Se çfarë ka pasur atje, nuk e di dhe nuk kam çfarë t’ju them, sepse ai edhe nuk para më hapej shumë. Më mjaftonte të ishte mirë, edhe ne mirë ishim këndej. Ndërsa në Shqipëri nuk ka pasur probleme.

Po për plagosjen që u dënua vitin e kaluar?

Po çfarë lidhje ka ajo plagosje? Për mua nuk ka të bëjë fare. Dhe Policia të shohë të gjejë autorët e mos të hamendësojë kot, pa asnjë lidhje. Ajo ngjarje ishte aksident. Nipi im as deshi të vriste njeri e as të plagoste. Madje ai që u plagos nuk njihej fare me nipin, ishte pa dashje.

Pra ju nuk dyshoni se vrasja mund të ketë lidhje me plagosjen?

Nuk dyshoj… unë them që nuk ka lidhje. Sepse ajo çështje u mbyll. Çfarë mund t’i vazhdohej më asaj ngjarjeje? As hakmarrje nuk mund të kishte, asgjë. Nuk pati probleme në lidhje me atë histori.

Po ju vetë keni ndonjë dyshim?

Nuk dimë as gjënë më të vogël. Na duket si një ëndërr e keqe. Nuk di çfarë të them. Jemi tronditur shumë dhe nuk e di si do ta marrim veten nga kjo që na ka ndodhur. Por Policia të kapë autorët, se i ka të gjithë mundësitë nëse do.