2nëntor 2015 – Arrest me burg ka vendosur Gjykata e Durrësit për 33 vjecarin nga 4 rrugët e Shijakut I.Gj., i akuzuar për abuzim seksual me mbesën e tij të mitur, në vitin 2012. 33 vjeçari është paraqitur i vetëm në gjykatë, pasi asnjë prej të afërmve nuk ka qenë në sallën e gjyqit. Për asnjë moment 33-vjeçari nuk e ka pranuar akuzën e ngritur ndaj tij. I pyetur nga relatorja e çështjes Shpëtime Pitaku, 33 vjeçari I.Gj. për akuzën e ngritur ka thënë se nuk e ka prekur mbesën e tij asnjëherë dhe akuza është e pavërtetë. “Nëse do të ishte e vërtetë, në moshën 10 vjeçare mbesa  do kishte përfunduar në spital. Unë nuk i kam bërë gjë”, ka thënë xhaxhai i akuzuar. Edhe avokatja e tij mbrojtëse e pajtuar prej të afërmve, ka thënë se klienti i saj nuk ka abuzuar me mbesën.

“Nëse është zhvirgjëruar, pse duan të akuzojnë klientin tim? Kjo mund të ketë ndodhur në vitet e më vonshme dhe kush mund ta provojë se e ka kryer klienti im këtë vepër penale?”, u shpreh avokatja. Prokurorja Enkelda Xhengo i kërkoi gjykatës që ndaj 33-vjeçarit të vendoste masë sigurie burg pa afat, si person me rrezikshmëri të lartë. “Ai akuzohet për nje vepër shumë të rënd penale të kryer ndaj një fëmije, ndaj mbesës së tij 10 vjecare”, u shpreh prokurorja dhe gjykata vendosi lënien e tij në burg deri në fund të  hetimeve. I riu u arrestua tre ditë më parë me akuzën marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me te mitur pas denoncimit që bëri në polici mbesa e tij së bashku me prindërit.

/portali DurresLajm/