LOZANË, 5 prill 2013 – Këngëtarja me origjinë shqiptare Elina Duni hap edicionin e 31 të “Cully Jazz Festival”.

Është konsideruar lajm kryesor dhe nder për Zvicrën fakti që përuron me kuartetin e saj veprimtarinë ndërkombëtare muzikore në minibashkinë e Kyli-së (Cully) në Lozanë të Zvicrës.

E përditshmja kryesore helvetike në gjuhën frënge “Le Temps”, në numrin e 5 prillit, i ka kushtuar një faqe të tërë vokalistes shqiptare-zvicerane, duke iu referuar sajtit të “Cully Jazz Festival”.

“Kemi kënaqësinë të hapim  “2013 Cully Jazz Festival” me fytyrën e qeshur të Elina Duni!”, shkruan sajti i festivalit.

Festivali i xhazit fillon më 5 dhe përfundon më13 prill 2013

“Meka” e Xhazit

Ngjarja e parë muzikore e pranverës, Cully Jazz Festival, që mbahet çdo vit buzë liqenit të Gjenevës mbledh dashamirësit e muzikës, si dhe dëgjues aventurierë, frekuentues klubesh dhe të gjithë ata që vijnë çdo vit vetëm për atmosferën unike të këtij festivali.

Besnik ndaj traditës dhe mbështetur gjithmonë në reputacionin e tij, festivali do të mirëpresë interpretues kryesor të xhazit dhe talente të reja.

Më intimi nga festivalet e të mëdha të xhazit në Zvicër. Çdo pranverë, për nëntë ditë, Festivali i xhazit në Kyli (Cully Jazz Festival) shndërron qytezën magjepse të verës në një Mekë xhazi.

Më shumë se 45.000 vizitorë pushtojnë brigjet e liqenit të Gjenevës, në zemër të Lavo-së (Lavaux) –vendbanim i listuar nga UNESKO-ja si Trashëgimi Botërore, për të parë dhe dëgjuar disa nga emrat më të mëdhenj të xhazit.

 

·        Këngëtarja shqiptare, kënaqësia e organizatorëve për përurimin e edicionit të 31 të “Cully Jazz Festival”

·        E përditshmja kryesore helvetike në gjuhën frënge “Le Temps”, në numrin e 5 prillit, i ka kushtuar një faqe të tërë vokalistes nga Tirana

Cully Jazz Festival, është mbi të gjitha udhëtim përreth botës së xhazit, gjatë të cilit artistët e famshëm dhe yjet që po lindin eksitojnë publikun, ku ka rishtarë apo të konvertuar prej kohësh plotësisht.

Gjithçka përreth skenave kryesore, festivali gjithashtu ofron rastin për një shëtitje nëpër fshat për të shijuar verëra të ndryshme të cilësisë së lartë, muzikë në bodrumet fqinje dhe kafene: New Orleans jazz, blues, atmosfera piano-bari, xhaz modern, rok, këngë franceze apo shkrirje tingujsh elektronikë me xhaz.

Në këto vende, edhe tipike edhe të pazakonta, organizohen rreth 70 koncerte.

“Love story” me Cully Jazz

Sajti i festivalit shkruan se Elina Duni, me origjinë shqiptare, erdhi në Zvicër në moshën 10 vjeç dhe aktualisht jeton në Bernë kur nuk i bie kryq e tërthor Evropës për të promovuar diskun e saj të ri sublim “Matanë Malit”, i cili sapo ka dalë në qarkullim nga firma prestigjioze diskografike ECM.

Historia e dashurisë midis Elina Dunit dhe festivalit të xhazit në Cully nisi gjashtë vjet më parë në vitin 2007, kur si pjesëmarrëse jashtë konkurrimit performoi për herë të parë me kuartetin e saj.

Në vitin 2009 ishte zbulimi i një mbrëmjeje xhazi oriental në Chapiteau me instrumentistin dhe kompozitorin e njohur libanez, me banim në Gjermani dhe Francë, Rabih Abou-Khalil.

Sot, Elina Duni, ky yll i vërtetë ndërkombëtar po na nderon me një koncert të ri.

Me bindje të rrallë dhe shpesh e angazhuar plotësisht ndaj rrënjëve të saj shqiptare, Elina Duni, po ndjek odisenë e saj muzikore, duke qenë e zonja të na befasojë me kompozime që shërbejnë si vektorë të përsosur për emocione delikate, sublime.

Shqipja në rangun e anglishtes

Është interesant fakti që kjo këngëtare diskun që e ka për qarkullim ndërkombëtar e ka lënë me titull në shqip “Matanë Malit” dhe jo ta përkthente në frëngjisht apo anglisht. Ajo këndon shqip, teksa disa viteve në Shqipëri është bërë debat nëse pjesëmarrësit në Eurovision duhet të këndojnë shqip apo anglisht.

Ajo eksperimenton me hibridin etno-xhaz (ethnojazz): edhe “amerikan” edhe “shqiptar”.

Duket se misioni i saj “Përpiqem të sjell jazz-in në Shqipëri përmes folklorit, ndërsa jashtë të përcjell folklorin jo vetëm të Shqipërisë, por të gjithë Ballkanit, përmes jazz-it”, po përmbushet.

Sigurisht, duke pasur në krah dhe tre bashkëpunëtorë të shkëlqyer si Colin Vallon në piano, Patrice Moret në bas dhe Norbert Pfammatter në bateri.

Unitet në larmi

Disku“Matanë Malit”, që konsiderohet si një nga produksionet më të mira evropiane, ka 12 këngë, nga të cilat përpunime të 7 kriijimeve popullore të krahinave të ndryshme me karakteristika specifike: Çelo Mezani, Kjani trima, Unë ty moj, Ra kambana, Çobankat, U rrit vasha, Mine Peza.

Një përpunim fantastik që ka befasuar kritikët e huaj muzikorë si për aftësitë e Dunit me “zbukurime zëri” (melizma), ashtu dhe për larminë në unitet të stileve në etnoxhaz.

Natyrisht ky është një kontribut historik në muzikën shqiptare që nuk e ka arritur askush para saj.

Po ashtu Duni ka rikrijuar Vajzë e valëve, të kënduar fillimisht nga himarjoti i pavdekshëm Neço Muka në Paris në vitet 1930, si dhe korçaren Ka një mot të Milto Gurrës.

Një befasi e këndshme është dhe kënga e famshme ritmike e Tish Daijës Erë pranverore.

Në “truck” Duni ka dhe dy kompozime të saj origjinale, një nga të cilët me tekst të së ëmës, shkrimtares Besa Myftiu me titull Kur të kujtosh.

Të kompozosh Kadarenë

Gazetës zvicerane “Le Temps” i ka bërë përshtypje fakti që “Elina Duni ka kompozuar një tekst të Ismail Kadaresë, mik i familjes. Titullohet “Kristal”. Flet për zhdukje, gjurmë (il parle d’une disparition, d’une trace). “Ka kohë që s’shihemi dhe ndjej / si të harroj unë dalëngadalë, / si vdes tek unë kujtimi yt, / si vdesin flokët dhe gjithçka.” Ajo vërtet pëshpërit. Siç ia ka treguar ai ngjarjen”.

Natyrisht, Kadareja “shet” dhe gazetën “Le Temps”.

Pavarësisht nga “firot” në përkthimin frëngjisht, poezia Kristal është tronditëse. Është nga më të pëlqyerat nga krijimtaria e shkrimtarit dhe në Shqipëri, është mësuar përmendsh sidomos të rinjtë, jo me detyrim në shkollë, por për tej-ndjeshmërinë që ka ajo poezi si dhe Mall dhe Mësueset e fshatit.

Ato pëlqehen dhe më tepër se romanet që e bënë të famshëm Kadarenë në mbarë botën (është i njohur suksesi i një vjershe të Dritëro Agollit pasi u kompozua dhe u këndua nga Ardit Gjebrea si soundtrack i filmit Rrethimi i vogël).

Ja versioni i plotë i poezisë së famshme

Ismail Kadare

KRISTAL

Ka kohë që s’shihemi dhe ndjej

si të harroj unë dalëngadalë,

si vdes tek unë kujtimi yt,

si vdesin flokët dhe gjithçka.

 

Tani kërkoj poshtë e lartë

një vend ku ty të të lëshoj,

një strofë a notë, a një brilant

ku të të lë, të puth, të shkoj.

 

Në s’të pranoftë asnjë varr,

asnjë mermer, a morg, kristal,

mos duhet vallë prapë të të mbart

gjysmë të vdekur, gjysmë të gjallë.

 

Në s’ gjetsha hon ku të të hedh,

do gjej një fushë a një lulnajë,

ku butësisht porsi polen

gjithkund, gjithkund të të shpërndajë.

 

Të të mashtroj ndoshta kështu

dhe të të puth të ik pa kthim

dhe nuk do dinë as ne, askush,

harrim ish ky a s’ ish harrim.

 

Autobiografi

Elina Duni, vajza e shkrimtares Besa Myftiu dhe e regjisorit Spiro Duni, lindi në Tiranë në vitin 1981.

Ajo ngjitet për herë të parë në skenë në moshën pesëvjeçare, këndon në Radio Televizion ashtu si dhe në Festivalet e Fëmijëve.

Në vitin 1991, shpërngulet në Gjenevë, në Zvicër, bashkë me mamanë e saj, ku studion pianon klasike dhe zbulon jazz-in.

Mbas një risi projektesh të ndryshme muzike, filmi dhe teatri, Elina fillon studimet për kanto, kompozicion dhe pedagogji në degën Jazz të Shkollës së Lartë të Arteve në Bernë.

Gjatë kësaj kohe formon grupin Elina Duni Quartet me Colin Vallon në piano, Patrice Moret në kontrabas dhe Norbert Pfammatter në bateri.

Muzika gërsheton këngët folklorike të Ballkanit me jazz-in duke krijuar kështu një tingull të ri e të veçantë që grupi përcjell nëpër festivale të ndryshme në gjithë Evropën.

Kuarteti publikon dy albume “Baresha” (2008) dhe “Lume Lume” (2010) te Meta Records.

Në shtator të vitit 2012 del në treg albumi i tretë “Matanë Malit”, një homazh për Shqipërinë, i cili publikohet te një nga shtëpitë diskografike më të famshme të jazz-it në botë: ECM/Universal

 

Elina Duni Quartet

Gjatë këtyre viteve të fundit, Elina Duni Quartet është futur gjithnjë e më shumë në hullinë e një kohezioni organik dhe të një larmie qasjesh artistike.

Në këtë disk të ri, muzikantët duken vërtet të zhytur thellë brenda teksteve.

“Ne jemi përqendruar tek energjia për të cilën ka nevojë kjo poezi, thelbin e së cilës jemi munduar ta përcjellim përmes muzikës sonë. Për mua, çdo muzikë e improvizuar futet tek fryma e xhazit. Ne nuk ndihemi asnjëherë të detyruar që një këngë ta luajmë dy herë në të njëjtën mënyrë”.

Colin Vallon, i cili mes ndikimeve më vendimtare ka përmendur shpesh këngëtarë, duket këtu se e bën pianon e vet të tingëllojë si një zë i dytë që i përgjigjet zërit të këngëtares.

Kontrabasisti Patrice Moret, në mënyrën e vet të zgjedhjes së notave, ndërshfaq në këto hapësira tërë zgjuarsinë e tij muzikore dhe tregon ndjeshmërinë e vet të thellë në mirëkuptimin pothuaj telepatik me bateristin Norbert Pfammatter.

Duni është krejt e vetëdijshme mbi cilësinë e grupit të vet, dhe e pranon me dëshirë që magjia e muzikës qëndron kryesisht në ndërveprimin që tregojnë anëtarët e orkestrës.

/Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/