Kandidati i Partisë Demokratike për zgjedhjet e 11 majit, Xhelal Mziu, ka reaguar sërish pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale, ku pretendohet se ai është i përfshirë në një incident dhune. Përmes një postimi në Facebook, Mziu e mohoi kategorikisht përfshirjen në këtë ngjarje dhe tha se personi në video është në fakt Jeton Dani, babai i kandidatit të Partisë Socialiste në Dibër, Murat Dani.

“Vijojnë sulmet dhe manipulimet politike me shpërndarjen e një videoje që nuk ka lidhje me mua. Dhuna në atë video është ushtruar nga babai i kandidatit të PS ndaj kryetarit të PD në Bulqizë, Shaqir Manjani”, shkruan Mziu.

Ai akuzon Policinë e Shtetit dhe mazhorancën për përdorim politik të ngjarjes dhe manipulim të opinionit publik. Sipas tij, videoja është keqpërdorur për ta paraqitur atë si protagonistin e incidentit, ndërkohë që sipas tij, autorët e vërtetë janë persona pranë Partisë Socialiste.

Mziu i kërkoi mediave të bëjnë sqarimet e duhura dhe i bëri thirrje SPAK-ut që të hetojë dhunuesit dhe të ndalojë ata që, sipas tij, po manipulojnë provat për përfitime politike.

“Garantoj qytetarët e Bulqizës dhe të gjithë qarkut të Dibrës se këto manipulime nuk do të na trembin dhe nuk do të na ndalin në rrugën tonë drejt fitores më 11 maj”, përfundon ai.