13 janar 2015 –  Më shumë se 50 mijë femra u vranë në Ravensbruck, një kamp vdekje i ndërtuar nga Hitleri. Tashmë një libër i botuar së fundmi tregon detaje rreth kampit famëkeq dhe jetës brenda tij. Ky ishte kampi më i madh me femra i ndërtuar nga Hitleri në veri të Gjermanisë. Por ky kamp nuk kishte vetëm roje meshkuj, ai ishte i përbërë dhe nga roje femra të cilat ishin edhe më të pamëshirshme se vetë meshkujt.

“Ku…a e bukur”, kështu ishte epiteti i një prej rojeve femra e cila kishte pasion torturimin e të burgosurave. “Sytë e saj shkëlqenin kur ajo rrihte të burgosurat”, tha një e mbijetuar 70 vitë më vonë. “Shpresoj që nuk do të mendoni që ne ishim të gjithë njerëz të këqinj”, këto ishin fjalët e fundit të Dorothea Binz, një nga xhelatet më të urryera dhe të neveritshme të Ravensbruckut.

Por çfarë femrash ishin këto që torturonin dhe rrihnin femrat e burgosura? Meshkuj surrogatë, do të ishte përgjigja më e përshtatshme.

Por në fakt ato nuk ishin femra të shëmtuara. Shumica ishin bjonde dhe bukuroshe dhe bën habi se si mund të buronte gjithë ajo ligësi nga ajo bukuri. Kur nuk ishin në shërbim ato mblidhnin lule, vishnin të brendshme ngjyrë rozë, bënin shëtitje me varkë apo dilnin me oficerë gjermanë.

Një foto tregon dy prej rojeve të kampit famëkeq, Helene Massar dhe Marga Lowenberg së bashku me një shoqen e tyre duke bërë një xhiro në varkë. Madje rojet kishin edhe një sallon parukerie në brendësi të kampit, ku si parukiere shërbente ndonjë e burgosur e talentuar.

Rreth 3500 roje femra shërbyen në gjashtë vite, në kampin e përqendrimit Ravensbruck dhe shumë prej tyre u tronditën nga pamjet ku asistuan apo nga pamjet që ato vetë ofruan.