Nga Gladiola Busulla

DURRËS, 14 dhjetor 2014 –  Profil qytetar: Xheni Afezolli (Turku), lindur në një familje me tradita artistike e origjinë historike, Xheni Turku nis mësimet e para në piano, në moshën 6 vjeçare në klasën e nënës së saj, pianistes dhe pedagoges Mirlinda Zemblaku Turku. Si një nxënëse që gjithnjë evidentohej për talentin dhe veçantitë e saj pianistike, ajo mbyll shkëlqyeshëm shkollën e mesme muzikore dhe ftuar nga atashehu kulturor i ambasadës franceze, në një sërë koncertesh, përgatitet për të konkuruar në Akademine e Arteve ku fiton të drejtën për të vijuar studimet e larta akademike në sallën e profesoreshë Nora Çashkut, një pianiste ikonë, sot e kësaj dite në pianistikën shqiptare. Paralelisht në vitin 1997, krahas studimeve në akademi, kryen master classes duke marrë leksione perfeksionimi pianistik në Konservatorin Superior të Parisit në klasën e pianistit dhe profesorit Gerard Fremy. Është fituese e çmimit të parë special absolut recital solo piano ne konkursin e parë botëror "Music World" në La Spezia e Massa Carrara-Itali. Gjithashtu është fituese e konkurseve të Chamber Music dhe vlerësuar maksimalisht për vlera dhe virtuozitet pianistik dhe në ansambël. Gjatë ciklit 4 –vjeçar, studimet e larta u pasuruan me programe prestigjioze përzgjedhur e realizuar suksesshëm në koncerte e provime shtetërore duke finalizuar me diplomimin shkëlqyeshëm me koncertin nr. 1 të P.I.Tchaikovsky, luajtur me orkestrën e RTSH-së, nen baketën e dirigjentit Petrika Afezolli. Kështu nis aktiviteti koncertal brenda dhe jashtë vendit. Në vitin 2003 konkuron në konkursin shtetëror për pedagogë të brendshëm në AA. Vite më pas merr titullin akademik Docente në performancë solistike, akredituar nga MASH me profesorët : pianisten Nora Çashku, akademikun Adriatik Kallulli për shkrimin akademik dhe Dr.Prof .Eriona Tartari në estetikë muzikore. Vlerësohet për aftësitë e larta koncertale pianistike, literaturë shkencore të përzgjedhur dhe aftësi pedagogjike mjaft të pasura. Kështu përmbyll MND me koncertin nr. 5  “The Imperial " një kryevepër botërore e L.Ë. Beethoven, si dhe veprën premierë në Shqipëri "Bye-Bye Gershwin!" e kompozitorit Edmond Buharaja.

–  Xheni, e bukur dhe e talentuar, si ka ndikuar tradita familjare në formimin tuaj si muzikante dhe si vazhdon t’ju ndikojë dhe pas martesës me dirigjentin e mirënjohur Petrika Afezolli?

–  Gladiolë, së pari është kënaqësi të jemi bashkë në këtë intervistë, ju ndjek gjithnjë në specialet tuaja të ndërthurura bukur, mes pyetjesh e tematikash. Tradita familjare më ka shoqëruar që nga fëmijëria e deri sot. Nëna ime Linda (Zemblaku) Turku më ka mësuar të ngjyros muzikalisht botën time të brendshme, ndërsa im atë Sulejman Turku mes telajosh e peizazhesh pafund, më ka trashëguar aftësinë për të ngjyrosur jetën çdo ditë në të cilën e kam ndërtuar. Traditë familjare për mua do të thotë shumë. Unë në të kam ditur gjithnje të shoh veten si në një pasqyrë uji që rrjedh kulluar, mes notash muzike e ngjyrash pafund. Sigurisht, vitet e fëmijërisë sime kanë patur edhe momentet  gri … Nuk mund të harroj klasën time të parë, ndryshe nga fëmijët e tjerë, unë nuk u lejova të nisja mësimet, pasi u quajta "armike e klasës" sepse stërgjyshërit e mi kishin qenë tregtarë ! Vite më parë, edhe nënës sime iu hoq e drejta për të ndjekur studimet e larta në ILA, ndonëse ishte një pianiste e shkëlqyer dhe njëra ndër liceistet më të talentuara të liceut artistik "Jordan Misja". Pas shumë peripecish e lufte shpirtërore, prindërit e mi arritën të siguronin shkollimin tim. Nga ajo ditë, çdo gjë, çdo sakrificë në jetë unë e kam bërë për ta. Sigurisht, me dy prindër intelektualë, në fakt, edhe pse vitet kalojnë, e ndjen veten akoma si në klasën e parë dhe më vjen të qesh sa herë e mendoj këtë. Njohja me Petrika Afezollin ishte një tjetër aspekt, mbushur me të tjera ngjyra jetike e profesionale. Krahas afeksionit e bashkëjetesës në këto 21 vite së bashku, e them me sigurinë maksimale se nga Petrika në çdo moment ke se çfarë të mësosh. Krahas një bashkëshorti kam zbuluar edhe një mik shumë të mirë. Petrika di të jetë i matur, tolerant dhe shumë i kujdesshëm në familje. Por jo vetëm : ai di të të dëgjojë, di të respektojë pa dallim. Kjo ndodh edhe me studentët e tij, për të cilët ai është një profesor i nderuar, i cili nuk lodhet kurrë së punuari me to. Pra, pyetjes suaj për traditën, artin, familjen e ndikimet në lidhje me Petrikën dhe me dy fjalë do ta përmblidhja : Ku ka ngjyra, ka jetë ! Ndërsa për cilësimin "e bukur" – faleminderit , por sa më shumë vitet me prekin, aq më shumë bukurinë e shoh dhe kërkoj në gjërat që më mbushin e plotësojnë.

– Ç’ka ndryshuar në jetën tuaj që kur konsideroheni pianiste e afirmuar?

–  Kur konsiderohesh një pianiste e afirmuar nuk mbetet më thjesht një titull a cilësim. Pikërisht, aty ka nisur sërish gjithçka nga fillimi, në një tjeter aspekt, akoma më tepër impenjativ si profesionalisht, ashtu edhe nga ana pedagogjike. Arti nuk njeh kufinj e as njëtrajtshmëri substanciale. Çdo prurje e jotja pëson ndryshime çdo herë që ndërmerr një risi, një projekt apo një koncert.

– Të jesh vetvetja apo të jesh komerciale; jeni gjendur ndonjëherë përpara kësaj dileme?

–  Shumë njerëz sot janë të prirur drejt komerciales. Ndoshta kjo ka lindur që në fillimet e para të artit, meqenëse po flasim për këtë temë. Ndoshta në këtë mënyrë, shumëkush ka gjetur të funksionojë. Nuk gjykoj askënd në zgjedhjet e veta. Por të bësh komercialin duke u munduar të jesh vetvetja; ose e bën siç duhet ose përndryshe shkatërron atë që është më e vështirë për t’u ruajtur: pra vetveten .

Vërtet biznesi në botën e artit është bërë fenomen fitimprurës e lançues, por ndoshta këtu duhej bërë një balancë e thjeshtë, mes komercializmit artistik nëpër botë, ku agjentët lançojnë me kontrata e shifra marramendëse artistët dhe Shqipërisë tonë të vogël, ku artisti përpiqet të vetëlançohet duke mbuluar në pjesën më të madhe i vetëm çdo shpenzim financiar deri në momentin final.

Çdo ditë mund të jemi pre e ofertave komerciale, por fatmirësisht jam akoma Unë në vetveten time dhe më pëlqen ta mbaj kështu.

– A do t’ua këshillonit pianon dhe muzikën si profesion fëmijëve tuaj, pavarësisht se ata gjenetikisht janë të ngjizur artistë?

– Sarah (12 vjeç) dhe Dante Ismael (5 vjeç) janë dy fëmijë të larë në talent.

Ndërsa unë e Petrika jemi dy artistë që kemi vetëmohuar fëmijërinë e shumë të drejta të tjera për të realizuar maksimalisht profesionin tonë, ndër orë e orë studimesh. Të dy jemi në një mendje dhe e themi fort : “Fëmijët tanë janë të lirë të zgjedhin vetë profesionin që do t’i mbushë e realizojë në jetën e tyre”. Sigurisht, pianon ata e mësojnë sa herë kanë dëshirë dhe mësuesen e kemi zgjedhur : është ajo që më ka mësuar dhe mua – gjejeni … !

– Përveç se si pianiste, ju Xheni vlerësoheni dhe për rolin tuaj si didakte dhe pedagoge? Si ndërlidhen me njëra-tjetrën këto dy aspekte të të qenit artiste?

– Më lejoni t’ju them se të jesh një studente e talentuar e studioze deri në sakrifica, nesër do të të bëjë një pedagoge të aftë e studentët do kenë ç’të përfitojnë e zbulojnë çdo orë mësimi nga ti.

Në natyren time, autoriteti i tepruar nuk ka gjetur kurrë vend. I dua studentët e mi edhe kur ndonjëherë kanë ardhur të papërgatitur, sepse në rast se këshilla ime do t’u vlente, ata nesër do të studiojne dyfish, për veten dhe për mua. Një pedagog i mirë duhet të dijë të jetë mbi të gjitha një shok i mirë, sepse studentët përveç profesionit duhet të ndërtojnë e pasurojnë brenda tyre atë çfarë nesër do t’i udhëheqë në rrugët e jetës : virtytin e të qenit Njeri !