Forcat e Xhenios kanë kryer shpërthimin e telekomanduar të valixhes së dyshimtë pranë Ambasadës Amerikane në Tiranë. Nga shpërthimi ka rezultuar se valixhja ishte bosh.
Valixhja e dyshimtë është gjetur në rrugicë përkrah ambasadës dhe kaq është dashur të ngrihet alarmi. Forcat e rendit shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes duke rrethuar me kordon sigurie zonën.
Ndërsa forcat e posaçme të Xhenios që merren me çaktivizimin e eksplozivëve mbërritën në zonë, duke instaluar pajisjet për shpërthimin e telekomanduar.
Dyshohet se valixhja mund të jetë harruar nga ndonjë person ose mund të jetë lënë qëllimisht aty. Ndërkohë, do të analizohen pamjet e kamerave të sigurisë së bizneseve aty pranë për të zbardhur ngjarjen.





