Një ditëlindje e paharruar ka qenë 24-vjetori për Xhensila Myrtezajn në Bullgari, aty ku ajo dhe Besi po kalojnë disa ditë për shkak të xhirimeve të filmit të ri që ka nisur aktori i “Portokallisë”. Në shoqërinë e miqve të ngushtë, Xhensila dhe Besi po përfitojnë nga rasti për të shëtitur në vendet më të bukura të Bullgarisë duke ndarë me miqtë foto dhe video në rrjetet sociale.
Bashkë me këngëtaren e njohur, në Bullgari ka udhëtuar edhe mikesha e saj, Drilona, me bashkëshortin. Dasma madhështore e çiftit, e cila u organizua në Tiranë nga Class Events tërhoqi vëmendjen e të gjithëve, ndaj edhe emri i Drilonës u bë shpejt familjar për publikun. Një arsye më shumë është edhe një biznes privat në Tiranë, i cili tashmë është nën menaxhimin e Drilonës, pasi bleu aksionet e Elvana Gjatës.
Kështu, Drilona dhe Xhensila jo vetëm janë parë në shoqërinë e njëra-tjetrës në Bullgari, por kanë dalë edhe në një video live, përmes së cilës kanë zbuluar edhe detajet e para të dasmës së këngëtares së njohur.
Në këto foto të publikuara nga InTv, dy mikeshat duken të interesuara për të lexuar pyetjet që i vinin në kohë reale nga fansat, edhe pse zgjodhën t’u përgjigjeshin vetëm disave prej tyre.
Edhe pse hermetike deri në detajet më të imta, Xhensilës i pëlqen të ngacmojë vëmedjen publike për ditën e saj të madhe. Drilona do të jetë njëra prej shoqërueseve të këngëtares… Këtë e ka zbuluar Xhensila gjatë videos live, por pa kthyer përgjigje për shumë pyetje të tjera. E ka thënë shpesh që është supersticioze, ndaj edhe sekretet e ceremonisë vazhdon t’i ruajë me fanatizëm: “Jam shumë besimtare dhe dua vetëm që të shkojë gjithçka mirë, me vullnetin e Zotit”,- thotë ajo pa dashur të zbulojë asgjë më tej.