Kur po i drejtohemi fundjavës së fundit të muajit gusht dhe moti pritet të përkeqësohet në orët në vijim shumëkush nga ne mund të fillojë të ndjejë nostalgji për verën që po ikën.

Po ndërsa qytetarët i janë kthyer apo po i kthehen gradualisht rutinës së përditshme pas pushimeve, operatorët turistikë bëjnë bilancin e sezonit, piku i të cilit tashmë është mbyllur.

Kreu i Shoqatës Shqiptare të Turizmit, Eduard Xhepa, në një intervistë për “DurrësLajm” thotë sezoni turistik deri më tani ka qenë shumë i mirë dhe i qetë me turistë nga shumë vende të botës, çka konfirmon edhe njëherë se qyteti 3000-vjeçar është mjaft tërheqës për të huajt dhe ofertat e ndryshme turistike që ai propozon pëlqehen së tepërmi nga të huajt.

E ndërsa pritet që institucionet përgjegjëse të nxjerrin në muajt në vijim statistikat e këtij sezoni, që për hir të së vërtetës do të vazhdojë edhe në shtator dhe tetor, megjithëse në ritme më të ulta, operatorët evidentojnë problematikat e këtij viti.

Nuk janë të reja, por vijojnë të mos gjejnë zgjidhje!

Për Xhepën, problematikë e prekshme si për turistët e huaj, por edhe për stafin e subjekteve private që operojnë në sektorin e turizmit mbetet transporti urban.

Moszgjatja e orarit të lëvizjes së urbanëve dhe numri i njëjtë i autobusëve në linjat qytetase edhe pse fluksi i lëvizjes shtohet shihet nga kreu i shoqatës Shqiptare të Turizmit si problematikë e mprehtë, që duhet t’i gjendet patjetër zgjidhje me riorganizimin e këtij sektori.

Ndërsa problematika e dytë lidhet me trafikun e rënduar në qytet, i cili sipas Xhepës shpesh krijohet në mënyrë artificiale. Sipas tij, përfundimi i unazës së qytetit që do të lidhë zonën e spitalit me Currilat pritet të shfryjë trafikun e akseve kryesore, ku lëvizja me makinë në oraret e pikut është një mision i vështirë.

Ai rekomandon që autoritetet të bëjnë një ndërhyrje konkrete në rrugët dytësore të qytetit për t’i sistemuar dhe rregulluar në mënyrë që edhe përmes lëvizjes në to të realizohet shfryrja e trafikut, që krijohet në akset kryesore.

M.B.