30 qershor 2015 –Futbollisti Xherdan Shaqiri përmes një postimi në Facebook është distancuar nga imami Shefqet Krasniqi, i cili ka bërë publike një foto me të. Reagimi i Shaqirit ka ardhur pas shkrimeve në mediat zvicerane se ai është fotografuar me imamin e Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqi.

Ai është shprehur se është fotografuar me Krasniqin siç ka bërë edhe më mijëra njerëz të tjerë në gjithë botën.

“Imami erdhi tek unë dhe më pyeti për të marrë një foto. Kjo është ajo që kam bërë. Do të ishte jo mirë nëse do ta refuzoja. Nuk e dija që imami mund të jetë i lidhur me terrorizëm, pasi unë nuk mund të kontrolloj çdo tifoz, i cili dëshiron të fotografohet me mua e as nuk mund të di për bindjet e tyre”, ka shkruar Shaqiri në Facebook.

Ai po ashtu ka thënë që e dënon me forcë atë që njerëzit e përdorin popullaritetin e tij për t’u bërë të njohur, duke reaguar edhe për mediat që sipas tij i kanë dhënë kahje tjetër dhe kanë nxitur reagime. Në fund Shaqiri ka shkruar:"Ne jemi myslimanë të devotshëm, por ne nuk jemi radikalë". 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/