22 shtator 2015 – Dasmat e vitit 2015 nuk i kanë shpëtuar dronit, mjetit fluturues i cili u bë i famshëm në ndeshjen e futbollit Shqipëri – Serbi, që u zhvillua në Beograd para një viti.

Në shumë prej dasmave të verës së këtij viti, xhirimet me kameran e specializuar nga lart kanë qenë thuajse kushti kryesor i çifteve të reja, pohojnë mjaft nga operatorët që angazhohen në ceremonitë e rëndësishme të të sapomartuarve.

Regjistrimet me dron kryhen kryesisht gjatë xhirimeve jashtë mjedisit ku zhvillohen dasmat dhe kanë një kosto të lartë. Megjithëse në videoklipet e përfunduara këto xhirime nuk zënë më shumë se sa 60-70 sekonda gjithsej, prania e tyre është kthyer në një mani të verës 2015.

Pas koreografive të nuses dhe dhëndrit, e shpeshherë edhe të shoqërisë apo të xhirimeve në vende piktoreske që nga Pogradeci deri në Vlorë, bashkëshortët e rinj të këtij viti i kanë shtuar listës së kërkesave edhe xhirimet me dron.

/portali DurresLajm/