DURRËS, 6 nëntor 2014–  Sensacionale! Edhe Shqipëria mund të hyjë në historinë e Xhiros së Italisë në 2016-n. E konfirmon presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku. Vizita “blic” e zhvilluar në vendin e tonë e Roberto Todeskos, përfaqësuesit të prestigjiozes italiane “La Gazzetta dello Sport” (sponsori gjeneral i Xhiros së Italisë), me krerët më të lartë të sportit në Shqipëri ndezi dritën jeshile që elita e çiklizmit botëror të përshkojë edhe territorin e Shqipërisë pas dy viteve. Todesko ka pasur një takim me drejtorin e Sporteve, Vladimir Gjonaj dhe shefin e Sportit Elitar, Arjan Konomi, të cilët shprehën mbështetjen maksimale që Xhiro e Italisë të përshkojë Shqipërinë. Më pas, i dërguari zyrtar i “Grand Tour”- it sipas presidentit Anxhaku iu rezervua një pritje edhe në zyrat e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar nga presidenti dhe sekretari i përgjithshëm, Viron Bezhani dhe Stavri Bello. Sipas drejtuesve të KOKSH-it, kjo garë do të vlente shumë për sportin, njëherësh do të ishte një publicitet i madh për Shqipërinë në fushën e turizmit në arenën ndërkombëtare. “Dy janë opsione të mundshme, që gara të nisë nga Tirana me 20 xhiro në kryeqytet e të vijojë rrugëtimin drejt Sarandës. Mes diskutimeve u propozua që çiklistët pjesëmarrës të bëjnë një ndalesë në pedonalen e Vlorës për të vijuar në Sarandë dhe më pas në Konispol. Gjithashtu, u hodh ideja edhe e një etape nga Rruga e Kombit. Ky projekt ka marrë OK-in edhe të presidentit të UCI-t apo të Federatës Italiane. Por seria e negociatave nuk ndalet këtu, pasi janë parashikuar takime të ministres Lindita Nikolla edhe me ambasadorin italian. Urojmë e shpresojmë që kjo të bëhet realitet për Shqipërinë”, tha presidenti Anxhaku. Zyrtarisht për këtë është vënë në dijeni nëpërmjet një shkrese edhe ministrja Nikolla nga pala italiane.