Ish-kreu i partisë së ekstremit UKIP në Britaninë e Madhe, një prej politikanëve që shtyu vendin drejt “Brexit” me fushatat e tij, është rikthyer për të sulmuar emigrantët (ekstrakomunitarë) dhe veçanërisht ata shqiptarë.

Nigel Farage ka sulmuar sistemin e emigracionit në Mbretërinë e Bashkuar, pak pasi u shfaqën pamjet e një hajduti të dyshuar, emigrant shqiptar, duke drejtuar një “Ferrari” luksoz në Londër.

Duke folur në “GB News”, Farage u shpreh: “Po na bëjnë për budallenj, apo jo?!”

Dhe sipas videos dhe fotos së publikuar, ish-kreu i UKIP-it i referohej shqiptarit Dorian Puka, një hajdut 28-vjeçar i dënuar, i cili është deportuar dy herë, por ka arritur të rihyjë në MB në rrethana të panjohura.

Farage kritikoi pamundësinë për të dëbuar Pukën, edhe për shkak të një kërkesë azili në pritje. Puka, i cili është burgosur dhe deportuar dy herë për vjedhje me banesa, së fundmi ka postuar në rrjetet sociale një video 90 sekondëshe të tij, duke drejtuar një “Ferrari”, që media britanike thotë se vlen të paktën 300 mijë paund (mbi 500 mijë euro).

“Pra, kemi një kriminel shqiptar, ai deportohet nga Mbretëria e Bashkuar, kthehet në mënyrë të paligjshme, lë një vajzë lituaneze shtatzënë, dhe tani ne nuk e deportojmë dot, sepse neni 8 i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, nënkuoton se ai ka të drejtën të ketë një familje, prandaj, mund të qëndrojë.

Kemi dhe një shqiptar tjetër, që është dëbuar dy herë, dhe tani bën xhiro rrugëve të Londrës me një Ferrari. Dhe nuk shpëtojmë dot prej tij, deri t’i procesohet kërkesa për azil. Ne praktikisht po na shkelin me këmbë kriminelët e huaj dhe jemi tepër të padobishëm dhe tepër të paguximshëm për të bërë diçka për këtë”, u shpreh Farage.

Zyra e Brendshme ka pranuar se është e pafuqishme të largojë sërish Pukën, derisa kërkesa e tij për azil të dëgjohet plotësisht. Ky rast ka ringjallur debatet rreth politikave të emigracionit të Mbretërisë së Bashkuar, me disa deputetë konservatorë që bëjnë thirrje për reforma në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (ECHR).

Historia kriminale e Pukës në Britaninë e Madhe daton në vitin 2016, kur ai u burgos për nëntë muaj për tentativë vjedhjeje. Pas dëbimit, ai u kthye brenda një viti dhe kreu më shumë vjedhje në Londër.

Ai u kap, u dënua me tre vjet e gjysmë dhe u deportua sërish në mars 2020. I pashqetësuar, Puka hyri sërish në Britani në dhjetor 2020, duke udhëtuar nëpër disa vende evropiane. Ai është aktualisht me kusht imigracioni me një etiketë elektronike ndërsa pret një vendim të gjykatës për kërkesën e tij për azil.

Llogaritë e Pukës në rrjetet sociale tregojnë një mënyrë jetese luksoze. Përveç videos së Ferrarit, ai ka postuar imazhe me makina të tjera luksoze, duke përfshirë një Porsche Cayenne dhe një Bentley Bentayga.

Raportet shqiptare sugjerojnë se Puka po qëndron në një apartament me dy kate, me vlerë prej 250,000 paund në Hounslow, në perëndim të Londrës. Burimi i pasurisë së tij në dukje mbetet i panjohur. Një zëdhënës i Home Office tha: “Shtetasit e huaj që kryejnë krime nuk duhet të kenë asnjë dyshim se ligji do të zbatohet”.

Zëdhënësi shtoi se 3,000 individë pa të drejtë të qëndrojnë në Mbretërinë e Bashkuar janë kthyer që kur qeveria e re mori detyrën.

Ky rast pason një tjetër incident të fundit që përfshin një kriminel shqiptar i cili fitoi të drejtën për të qëndruar në MB sipas rregullave të GJEDNJ, duke nxitur thirrjet nga deputetët konservatorë për të reformuar ose për të lënë konventën.