Gjykata e Krujës ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për djalin e deputetit Rrahman Rraja, Rexhep Rraja.

Ky i fundit doli sot para gjykatës së Krujës për t’u njohur me masën e sigurisë pas akuzave për dhunë fizike ndaj ish-të dashurës së tij, Xhisiela Maloku.

Ai ka dalë nga paraburgimi në Durrës i shoqëruar nga efektivët, ndërkohë që te dera e priste furgoni i policisë.

Rexhep Rraja u arrestua pak ditë më parë pas urdhrit të Gjykatës së Krujës e cila ka dhënë ‘Arrest me burg’ në mungesë për të riun e akuzuar për ‘përndjekjen’ e Xhisiela Malokut.

Ndaj tij është ngritur vetëm akuza e "përndjekjes". Ndërkohë ekspertiza mjekoligjore vërtetonte se ndaj 25-vjeçares Xhisiela Maloku ishte ushtruar dhunë, duke i djegur cigare në trup si dhe duke e goditur me qytën e pistoletës.

Mjekësia ligjore dorëzoi më 27 shtator në Prokurorinë e Krujës aktin e ekspertimit të Xhisiela Malokut duke vlerësuar se ajo ka dëmtime fizike të cilat klasifikohen si rrahje dhe për të cilat ligjërisht, jepet raport deri në 9 ditë.