Xhon Terri ka vendosur që të vazhdojë karrierën e tij në kategorinë e dytë angleze, duke pranuar ofertën e skuadrës së Aston Vilës. Konfirmimi erdhi nga një postim në rrjetet sociale i presidentit të këtij klubi, Toni Xia, nëpërmjet një mesazhi në Twitter. “Mirëserdhe në Birmingem, Aston Vila. Njoftimi zyrtar së shpejti”, ishin fjalët e tij pas akordit të lidhur mes palëve.Terri u largua gjatë verës nga Çelsi, klubi ku kishte kaluar 22 vite të karrierës së tij.
Por ai bëri të ditur se do të vazhdonte karrierën si futbollist dhe ishte stërvitur gjatë kohëve të fundit në ambientet e bluve londinezë, ku do të kthehet në rol trajneri apo drejtuesi pasi të mbyllë gjithçka me futbollin e luajtur.Sipas mediave britanike, futbollisti ka nënshkruar për një vit, kontratë e cila do të jetë ndër më fitimprurëset në historinë e kategorisë së dytë angleze, pasi në bazë të bonuseve mund të arrijë deri në 80 mijë paund në javë.