Xhonatan Mariano Bernardo ishte njeriu i ndeshjes në Laç. Falë golit dhe asistit të tij, Teuta mori një trepikësh të artë ndaj kurbinasve, që i mbajnë ende në garë për të qenë në zonën “Euro”. Sulmuesi brazilian shfaqet i lumtur për fitoren dhe sigurisht për faktin që ishte protagonist në atë 90- minutësh. Megjithatë, shtatlarti që vjen nga vendi i sambës arkivon Laçin dhe fokusohet te përballja e radhës, e cila është tejet vendimtare.

Teuta pret këtë fundjavë Partizanin, ekip që synon titullin. Xhonatan e pranon se të kuqtë janë një kundërshtar tejet i fortë, teksa evidenton që edhe ndaj Skënderbeut kampion në fuqi ia bëri të vështirë. Por, 27-vjeçari gjatë deklaratës shfaqet tejet optimist. Ai beson se durrsakët nuk do të dalin duarbosh nga ky duel.

“Kemi filluar stërvitjen për Partizanin dhe mendoj se kemi ditët e mjaftueshme për ta përgatitur siç duhet këtë duel. Jemi në formë dhe gati për të përballuar me sukses një kundërshtar të fortë, sikundër është ekipi kryeqytetas. Trajneri Magani dhe stafi i tij janë duke kryer nga dy seanca në ditë dhe kjo na ndihmon që ne të marrim masat për këtë 90-minutësh. Kemi motivimin e duhur dhe, nëse vazhdojmë me këtë ritëm, mund t’ia dalim ndaj kujtdo. Këtë e dëshmuam edhe të dielën. Edhe pse në Laç arritëm që të merrnim maksimumin ndaj një kundërshtari që njihet për forcën e vet në shtëpi.

Zhvilluam një ndeshje të bukur dhe në fund u shpërblyem me rezultat. Pikë këto që na mbajnë në pozita komode për të qenë në garë për zonën ‘Euro’. Dihet që ky është misioni ynë final për këtë sezon, ndaj kur kanë mbetur edhe 10 javë do luftojmë fort deri në finish për ta realizuar. Sa i përket golit dhe asistit jam pa dyshim i lumtur. Në fund të fundit bëra detyrën, si sulmues që jam. Por, dua që ta falënderoj trajnerin që më jep besim dhe ka durim të merret me secilin prej nesh. Kemi harmoni në grup dhe kjo pasqyrohet në fushë. Kjo është arma jonë më e fortë.

Me Partizanin do të jetë një ndeshje e vështirë. Por duhet me çdo kusht që të japim më të mirën tonë. E kam ndjekur ndeshjen e Partizanit me Skënderbeun dhe kam bindjen se edhe ndaj nesh do të jenë një ‘kockë e fortë’. Gjithsesi, kam besimin e plotë që ekipi do të dalë me kokën lart nga ‘Niko Dovana’ dhe me pikë. Por, deri atëherë, kemi kohë për t’u përgatitur siç duhet”, përfundoi Xhonatan.